
Një Komision Anketues do ta shqyrtojë incidentin me ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoillkoviq, i cili ndodhi në ditën e rikonstruimit të Qeverisë dhe emërimit të tij në funksionin e ri. Iniciativa është e grupit parlamentar të BDI-së dhe sot është dorëzuar në Kuvend, ku thuhet se Komisioni Hetimor do të ketë mandat të shqyrtojë kronologjinë e ngjarjes dhe sjelljen e të gjitha personave të përfshirë.
Një çështje veçanërisht e rëndësishme është edhe refuzimi për të mundësuar qasje në incizimet nga sistemi zyrtar i videokamerave të Kuvendit. Duke pasur parasysh se incidenti ka ndodhur gjatë ushtrimit të funksioneve publike dhe përfshin funksionarë shtetërorë, ekziston interes i qartë publik që të gjitha dëshmitë relevante të jenë objekt i verifikimit institucional, thuhet në iniciativë.
“Zoti Gashi ishte aty në Kuvend kur ndodhi ai incident, nga ana e një ministri me emrin Stoillkoviq. Sigurisht që do të kërkojmë një Komision Hetimor, sepse incidenti nuk është i vogël. Kjo është një fyerje ndaj deputetëve që kanë mandat nga qytetarët dhe për këtë arsye do të insistojmë që ky rast të zbardhet sa më shpejt, që të mos përsëritet edhe një herë”, tha Bekim Rexhepi nga BDI.



