
Ish-ambasadori izraelit në SHBA, Mike Herzog paralajmëroi se ndikimi i Izraelit në vendimmarrjen në Washington ka rënë ndjeshëm nën administratën e presidentit amerikan Donald Trump, raportoi të enjten gazeta izraelite “The Jerusalem Post”, transmeton Anadolu.
Në një intervistë për radion izraelite 103FM, të cituar nga “The Jerusalem Post”, Herzog tha se marrëdhënia mes kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe Trumpit ka humbur një pjesë të afërsisë që kishte më parë.
“Mendoj se diçka në afërsinë e kësaj marrëdhënieje është dëmtuar”, tha Herzog.
Komentet e tij erdhën pasi Netanyahu e përshkroi një takim të fundit me Trumpin si një nga “takimet më të mira ndonjëherë”, pavarësisht tensioneve lidhur me Iranin dhe pikëpyetjeve mbi pozitën e Izraelit në Washington.
Herzog tha se takimi duhet parë me më shumë kujdes, duke theksuar se ai ishte i mbushur me pjesëmarrës dhe nuk tregonte shenja të një angazhimi të ngushtë personal. Sipas Herzogut, arritja kryesore e takimit për Netanyahun ishte fakti se Trumpi nuk e kritikoi publikisht Izraelin dhe nuk parashtroi kërkesa të drejtpërdrejta.
Ish-diplomati tha se Netanyahu kishte interes ta paraqiste takimin në mënyrë pozitive para zgjedhjeve në Izrael dhe të përpiqej të ndryshonte përshtypjen se marrëdhëniet me Trumpin ishin përkeqësuar. Në aspektin diplomatik, Herzog tha se kjo sugjeron se Trumpi dëshironte të shmangte krijimin e përshtypjes së një afërsie të tepruar me Netanyahun.
“Kishte një dëshirë për të mbajtur një profil të ulët”, tha ai.
“Lufta me Iranin është shumë jopopullore”, tha Herzog duke shtuar se “Izraeli perceptohet se e ka tërhequr Trumpin në të”.
Megjithëse Herzog tha se nuk beson se marrëdhëniet mes Izraelit dhe administratës së Trumpit kanë arritur nivelin e një krize të plotë, ai paralajmëroi se shkalla e afërsisë është zvogëluar në një kohë kur priten vendime të rëndësishme.
“Ndikimi i Izraelit në vendimmarrjen në SHBA është zvogëluar ndjeshëm”, tha ai.
Herzog shtoi se megjithëse nuk ka mosmarrëveshje të mëdha mes SHBA-së dhe Izraelit për Iranin, Trump nuk dëshiron që konflikti të duket sikur i është imponuar nga Netanyahu.
Ish-ambasadori paralajmëroi gjithashtu për një rënie më të gjerë dhe afatgjatë të pozitës së Izraelit në SHBA. “Ka patur një dobësim shumë serioz dhe ai nuk është i përkohshëm”, tha Herzog.
Ai ia atribuoi këtë rënie ndryshimeve demografike, politike dhe ekonomike në SHBA, fushatave për delegjitimimin e Izraelit dhe asaj që e përshkroi si gabime të bëra nga qeveritë e njëpasnjëshme izraelite.
Herzog shtoi se imazhi i qeverisë aktuale izraelite dhe mënyra e zhvillimit të luftës në Gaza kanë dëmtuar ndjeshëm pozitën e Izraelit.
Të mërkurën, Netanyahu pranoi rënien e popullaritetit të Izraelit dhe të qeverisë së tij në mesin e opinionit publik amerikan, duke ia atribuar këtë ndryshim rrjeteve sociale.


