LajmeMaqedoniTopLajm

BDI: Bekim Qoku rreshtohet me qëndrimet antishqiptare kundër Marrëveshjes së Ohrit

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Bekim Qokut, të cilin e cilëson si liderin de facto të koalicionit VLEN, duke e akuzuar se me qëndrimet e tij është rreshtuar në të njëjtën vijë me qarqet që kundërshtojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe të drejtat e fituara nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Në reagimin e saj, BDI vlerëson se deklarata e Qokut, sipas së cilës Marrëveshja e Ohrit “nuk është fitore për t’u krenuar”, përbën një fyerje ndaj sakrificës së shqiptarëve dhe një mohim të arritjes historike që, sipas partisë, ndryshoi pozitën kushtetuese, institucionale dhe politike të shqiptarëve në vend. Sipas BDI-së, Marrëveshja e Ohrit është themeli mbi të cilin janë ndërtuar të drejtat kryesore të shqiptarëve, duke përfshirë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore, përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, procesin e decentralizimit, mekanizmin e Badenterit dhe fuqizimin e shqiptarëve si faktor vendimmarrës në shtet.

“Ta mohosh Marrëveshjen e Ohrit do të thotë të mohosh themelet e të gjitha këtyre të drejtave”, thuhet në reagimin e BDI-së. Partia opozitare vlerëson më tej se me këtë qëndrim, Bekim Qoku është vendosur në të njëjtën linjë me VMRO-DPMNE-në dhe me ato qarqe politike që prej kohësh pretendojnë se Marrëveshjes së Ohrit “i ka skaduar afati”. BDI ndalet edhe te deklarata e Qokut se VMRO-DPMNE është “tmerrësisht e fuqishme”, duke interpretuar këtë si dëshmi se VLEN ka pranuar publikisht pozitën e tij të nënshtruar ndaj partnerit më të madh të koalicionit qeverisës.

Në reagimin e BDI-së thuhet se shqiptarët kanë arsye të krenohen me Marrëveshjen e Ohrit, pasi ajo përfaqëson gurthemelin e avancimit të të drejtave të tyre dhe të barazisë në shtet. Në të kundërtën, sipas BDI-së, VLEN duhet të turpërohet që, për të ruajtur pushtetin, ka filluar të përdorë të njëjtën gjuhë politike me ata që prej vitesh kërkojnë çmontimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe zbehjen e arritjeve që ajo garanton për shqiptarët. Ndryshe, në një postim në rrjetet sociale, deputeti Qoku ka thënë se Marrëveshja e Ohrit ishte një marrëveshje kompromisi dhe aspak fitore për t’u krenuar. “Marrëveshja e Ohrit ishte një marrëveshje kompromisi dhe aspak fitore për t’u krenuar. Atë, madje, as nuk e ka nënshkruar Ali Ahmeti. Me atë marrëveshje, shqiptarët u vulosën si pakicë. Të gjithë të drejtat burojnë nga ai status, pra statusi i pakicës”.

Related Articles

Back to top button
Close
Close