LajmeMaqedoni

Në Tetovë ofiqarët i “zhvatin” çiftet që duan të kurorëzohen, u marrin nga 50 euro që t’i martojnë në restorant

Në tetor të vitit 2025 një grua nga Tetova me mbesën e saj shkoi në zyrën e gjendjes civile në Tetovë për të caktuar termin për kurorëzimin e mbesës së saj në një restorant. Pasi e bënë pagesën prej 10.500 denarësh për shërbimin në llogarinë e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ata u ndeshën me një surprizë të pakëndshme, ofiqari u tha se do duhej të jepnin edhe 50 euro për të, në restorant në ditën e dasmës. Kërkesa e tillë për para është e paligjshme dhe përbën një kërkesë për ryshfet. Përveç tarifës për shtetin, nuk ka ligj ose rregullore në Maqedoninë e Veriut ku thuhet se ofiqari duhet të marrë para shtesë nga çifti i ri, shkruan Slloboden Peçat.

“Ofiqari na tha se mbesa duhej t’i paguante 50 euro në dorë, sepse atij nuk i paguhet puna gjatë fundjavës. Ai e tha këtë kaq lehtë, sikur të ishte diçka më se normale. Ikëm që andej. Kur e ngrita çështjen në një nivel më të lartë në kuptimin që fillova të pyesja se për çfarë ishin ato para, se kjo që nuk thuhej në asnjë dekret apo ligj, ofiqari na zbuloi dhe e thirri dhëndrin për t’i thënë që ta tërheqë kërkesën për kurorëzim dhe se nuk ai do t’i martonte. Ai shtoi edhe se asnjë nga ofiqarët nuk do t’i martonte, se askush përveç tij nuk donte të dilte në terren”, tha gruaja.

Pastaj, në ditën e dasmës në restorant ofiqari mori 50 euro në dorë. Por kjo nuk ishte as hera e parë dhe as e fundit që ky ofiqar bënte një gjë të tillë. Një burim i dytë tha se kur ai kishte caktuar kurorëzim në zyrë, i njëjti ofiqar i kishte thënë se “do duhej të jepte para edhe për atë, në restorant”.

“I thashë se e dija se duhet, sepse e dija që tarifa e tij tani ishte rritur në 4.000 denarë. Kjo po ndodh në Tetovë për të paktën një vit dhe të gjithë e dinë dhe bëjnë sikur nuk e dinë. Por ditën e dasmës nuk i dhashë para në restorant, kështu që ai më shkaktoi probleme më vonë – deri në fund nuk më dha certifikatën e martesës. Më duhej ta kontrolloja shtesë për t’u siguruar që ai nuk kishte bërë ndonjë gabim në librat amë, e të më duhej të zhvilloja një procedurë administrative më vonë”, na tha burimi.

Një punonjës i Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë (DULA) Tetovë, që dëshiroi të mbetet anonim, tha se nuk e kishte parë kurrë me sytë e tij ofiqarin në fjalë duke marrë para, por kishte dëgjuar shumë herë njerëz që vinin të ankohen. Edhe gruaja së cilës i kërkoi 50 euro u ankua, por sipas fjalëve të saj, udhëheqësja edhe pse ishte në dijeni të situatës, e toleronte abuzimin.

“Madje filluan të flisnin për mua se isha e shtrënguar sepse nuk doja t’i jepja para ofiqarit. Por unë paguaj me një fletëpagesëgjith, ndërsa për gjithçka tjetër nuk mund të më detyrojnë ose të ma imponojnë”, tha ajo.

Imërzate Dauti, udhëheqëse e degës së Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë në Tetovë tha se nuk kishte dëgjuar kurrë për një gjë të tillë, ndryshe nga pretendimi i qytetares e cila tha se e kishte informuar personalisht udhëheqësen për problemin në fund të vitit 2025.

!Ne gjithmonë u dalim në ndihmë qytetarëve dhe punojmë në përputhje me ligjin. Për momentin në terren kurorëzime bën një ofiqar”, tha Dauti.

Në pyetjen se çfarë e motivon këtë person që të dalë dhe të bëjë kurorëzime gjatë fundjavave në Tetovë, ndërsa ofiqarët e tjerë edhe pse kanë të drejtë të dhënë nga drejtori Faton Fazliu për të bërë kurorëzime, nuk duan të dalin terren, ajo nuk kishte përgjigje.

Ditë më parë u publiku një aspekt tjetër të skandalit me Drejtorinë për Udhëheqjen e Librave Amë për ekzistencën e një rrjeti kriminal në Drejtorinë për Udhëheqjen e Librave Amë, të përbërë nga ofiqarë ligjorë, të cilët kryejnë kurorëzime në mënyrë të paligjshme në hotele dhe restorante të Shkupit dhe fitojnë përfitime materiale për veten e tyre. Buxheti i shtetit, por edhe kolegët e tyre ofiqarë që punojnë ligjërisht, dëmtohen nga abuzimi i tyre me pozicionin dhe autoritetin e tyre zyrtar. Abuzimi ndodh në atë mënyrë që ofiqarët në Shkup marrin para në dorë dhe kryejnë kurorëzime pa e paguar ndërkohë tarifën prej 10.500 denarësh që derdhet në Buxhetin e shtetit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close