
Fondi për Sigurim Shëndetësor (FSSH) njoftoi se gjatë këtij muaji ka paguar mbi 560 milionë denarë për kompensimet e pushimeve mjekësore, ku pjesa më e madhe e mjeteve është dedikuar për pushimet e lindjes.
Deri më sot, edhe pse muaji ende nuk ka përfunduar, Fondi ka paguar gjithsej 560,9 milionë denarë, prej të cilave:
420,3 milionë denarë për kompensime të lejes së lindjes;
140,6 milionë denarë për llojet e tjera të pushimeve mjekësore.
Pagesat janë realizuar sipas kësaj dinamike:
1–23 korrik: 111 milionë denarë për leje lindjeje dhe 93,5 milionë denarë për pushime të tjera mjekësore;
24 korrik: 25 milionë denarë për leje lindjeje dhe 24 milionë denarë për pushime të tjera;
27 korrik: 198 milionë denarë për leje lindjeje dhe 17,7 milionë denarë për pushime të tjera;
28 korrik: 86,3 milionë denarë për leje lindjeje dhe 5,4 milionë denarë për pushime të tjera.
Sipas Fondit, kjo është shuma më e lartë e paguar ndonjëherë brenda një muaji për kompensimet e pushimit të lindjes, duke konfirmuar përkushtimin e institucionit për të siguruar në kohë mjetet financiare për realizimin e të drejtave të të siguruarve.
Nga FSSH njoftojnë se nuk ka vonesa në pagesën e kompensimeve për lejen e lindjes. Për fillimin e pagesës, kushti i vetëm është që për muajin e parë të jenë paguar kontributet në përputhje me ligjin.
Pas përmbushjes së këtij kushti, për çdo muaj pasues kompensimi paguhet menjëherë pas përfundimit të muajit përkatës, pasi të kryhen procedurat administrative, kontrolli profesional dhe miratimi nga shërbimet kompetente të Fondit.
Për pushimet e tjera mjekësore, përveç përpunimit administrativ, kontrollit dhe miratimit të lëndëve, kusht ligjor për pagesë është që të jenë paguar kontributet për muajin për të cilin bëhet kompensimi. Për këtë arsye, në raste të caktuara mund të ketë shtyrje të pagesës. (Portalb)


