Bullgaria nuk e refuzon përfshirjen e BE-së në dialog, por porosit se marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut duhet të trajtohen në kuadër të institucioneve dhe procedurave të përcaktuara të Bashkimit Evropian. Nga Shkupi kërkohet përmbushja e obligimeve të ndërmarra, ndërsa Qeveria insiston për një palë të tretë në bisedimet me Sofjen, për të rikthyer besimin dhe për të siguruar parashikueshmëri në procesin e integrimit.
Ministria e Jashtme e Bullgarisë i është përgjigjur kërkesës së Shkupit që Bashkimi Evropian të përfshihet në bisedimet e ardhshme ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Sofja thotë se anëtarësimi i vendit në BE është çështje evropiane dhe se duhet të trajtohet në kuadër të institucioneve evropiane, në përputhje me rregullat dhe procedurat tashmë të përcaktuara. Qëndrimi bullgar vjen pasi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, deklaroi se Shkupi këmbëngul që në të gjitha bisedimet e ardhshme me Bullgarinë të ketë përfshirje të BE-së, qoftë përmes institucioneve evropiane, qoftë përmes shteteve anëtare.
SOFJA: TË RESPEKTOHET KORNIZA E PËRCAKTUAR
Ministrja e Jashtme bullgare, Velislava Petrova, thekson se Bullgaria mbështet punën e Komisionit Evropian me secilin prej vendeve që negociojnë anëtarësimin dhe se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë pjesë thelbësore e procesit të anëtarësimit. “Procesi i anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian është një çështje evropiane që duhet të shqyrtohet në kuadër të institucioneve evropiane dhe në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme bullgare.
Nga Sofja përsëritet edhe pritja që Maqedonia e Veriut të përmbushë obligimet e ndërmarra dhe të ndërmarrë ndryshimet e nevojshme për të vazhduar rrugën evropiane. Bullgaria edhe më herët ka theksuar se përmbushja e plotë e obligimeve të dakordësuara në kuadër të konsensusit evropian të korrikut 2022 është kusht për përparimin e mëtejshëm të vendit në procesin e anëtarësimit.
Në këtë kontekst, Sofja vazhdon t’i referohet edhe ndryshimeve kushtetuese me të cilat bullgarët do të përfshiheshin në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Qeveria në Shkup nuk e konteston parimisht nevojën për ndryshimin kushtetues, por kërkon garanci se përmbushja e këtij obligimi nuk do të pasohet nga kushte të reja dypalëshe në fazat e mëvonshme të negociatave.
MUCUNSKI KËRKON PALË TË TRETË
Reagimi bullgar vjen pas deklaratave të ministrit të Jashtëm dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, i cili kërkoi që BE-ja të jetë e pranishme në bisedimet e ardhshme me Bullgarinë. Në intervistë për MIA-n, Mucunski tha se për Shkupin nuk është vendimtare nëse përfshirja do të bëhet përmes institucioneve të BE-së apo përmes shteteve anëtare. Sipas tij, e rëndësishme është që në proces të ketë edhe një palë tjetër që do të ndihmonte në rikthimin e besimit. “Është e rëndësishme për ne që në të gjitha bisedimet që do të zhvillojmë me Bullgarinë në të ardhmen, të ketë pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian”, tha Mucunski.
Ai tha se aktualisht ekziston një “mungesë themelore besimi” ndërmjet dy vendeve dhe se përfshirja e një pale të tretë do të mund të kontribuonte në tejkalimin e saj. Kërkesa e Shkupit lidhet edhe me shqetësimin e Qeverisë se përmbushja e një obligimi të caktuar sot nuk duhet të nënkuptojë hapjen e kushteve të reja në fazat e ardhshme të procesit. “Po, ne duam të ecim përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian, më në fund ta marrim atë mundësi për t’i hapur negociatat, por gjithashtu nuk jemi të gatshëm me çdo çmim të pranojmë kompromis i cili shtetit nuk i siguron parashikueshmëri”, deklaroi Mucunski. Pikërisht parashikueshmëria e procesit dhe përfshirja e BE-së janë dy nga argumentet kryesore me të cilat Shkupi e arsyeton kërkesën për një rol më aktiv të institucioneve evropiane në dialogun me Sofjen.
DIALOGU NË KORNIZËN E PROCESIT EVROPIAN
Dy qëndrimet e fundit e vendosin sërish në qendër pyetjen se si duhet të zhvillohet dialogu Shkup–Sofje: si marrëdhënie bilaterale me një rol mbështetës të institucioneve evropiane, apo me përfshirje më të drejtpërdrejtë të BE-së si garanci për procesin. Ndërkohë, çështja e marrëdhënieve të fqinjësisë dhe e perspektivës evropiane ishte një nga temat qendrore edhe në takimin e 25-të të Komitetit të Përzier Parlamentar BE–Maqedonia e Veriut, i cili u mbajt më 24 dhe 25 shtator në Kuvend.
Në takim u diskutua edhe për perspektivën e negociatave të anëtarësimit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin rajonal dhe reformat. Ambasadori i BE-së në vend, Mihalis Rokas, në këtë forum tha se qëllimi politik është hapja e negociatave sapo të përmbushen kriteret, duke nisur me ndryshimet kushtetuese. Në të njëjtin takim, nga pala qeveritare u theksua se çështjet bilaterale nuk duhet ta përcaktojnë përparimin evropian, ndërsa u bë thirrje për dialog konstruktiv dhe zgjidhje që ndërtojnë besim.


