LajmeMaqedoniTopLajm

Ahmeti kërkon Komision Hetimor për zbardhjen e incidentit me Stoilkoviqin

Partia e Ali Ahmetit kërkon formimin e një Komisioni Hetimor për të sqaruar incidentin në të cilin ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, ka fyer deputetë gjatë seancës për rikonstruimin e Qeverisë. BDI deri në fund të kësaj jave do t’ia dorëzojë kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, kërkesën për formimin e një Komisioni Hetimor për përcaktimin e rrethanave lidhur me incidentin në ambientet e Kuvendit.

Partitë opozitare LSDM dhe BDI akuzuan se Stoilkoviqi, në hapësirën para sallës plenare, ka fyer Fatmir Bytyqin dhe Mitko Trajçulevskin nga LSDM, si dhe deputeten Arbana Pasholli nga BDI, ndërsa vetëm ndërhyrja e disa deputetëve ka penguar një përplasje fizike mes ministrit dhe dy deputetëve të LSDM-së.

Në dokumentin të cilin e ka siguruar “Sloboden Peçat” dhe që BDI do ta dorëzojë deri të premten, kërkohet që Kuvendi të miratojë vendim për themelimin e Komisionit Hetimor.

“Komisioni Hetimor ka për qëllim të përcaktojë të gjitha faktet dhe rrethanat relevante lidhur me ngjarjen, të shqyrtojë veprimet e institucioneve kompetente dhe të shërbimeve të Kuvendit, si dhe të konstatojë nëse me veprimin ose mosveprimin e personave përgjegjës janë cenuar dinjiteti dhe integriteti i Kuvendit, të drejtat e deputetëve dhe parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në dokument.

Komisioni do të duhet të përcaktojë kronologjinë e ngjarjeve dhe të gjitha rrethanat që lidhen me incidentin.

“Komisioni Hetimor do të shqyrtojë sjelljen e të gjithë personave të përfshirë, veçanërisht të anëtarit të Qeverisë që ka marrë pjesë në incident, si dhe veprimet e shërbimeve kompetente dhe të udhëheqjes së Kuvendit”, thuhet në kërkesën e BDI-së.

Kjo do të thotë se BDI kërkon të shqyrtohet edhe përgjegjësia e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.

Komisioni gjithashtu duhet të përcaktojë nëse sjellja e Stoilkoviqit përbën shkelje të dinjitetit të Kuvendit dhe të deputetëve. Ai do të duhet të sigurojë dhe të shqyrtojë incizimet nga sistemi zyrtar i videombikëqyrjes së Kuvendit, si dhe të gjitha dokumentet, regjistrimet dhe provat e tjera relevante.

Gjatë seancës për rikonstruimin e Qeverisë, Stoilkoviqi, në hapësirën para sallës plenare, për pak sa nuk u përlesh fizikisht me Bytyqin dhe Trajçulevskin, duke i fyer, sharë dhe kërcënuar.

Pas incidentit, grupi parlamentar i LSDM-së mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për media dhe vlerësoi se:

“Fyerjet e drejtuara ndaj Bytyqit dhe Trajçulevskit përbëjnë gjuhë urrejtjeje që mund të nxisë dhunë.”

LSDM deklaroi se ajo që ndodhi pas ndërprerjes së seancës ishte një sulm i vërtetë, pasi Stoilkoviqi u hodh fizikisht dhe verbalisht mbi deputetët, duke i sharë dhe ofenduar.

Deputetët e BDI-së, nga ana tjetër, gjatë seancës kërkuan falje publike si nga Afrim Gashi ashtu edhe nga Ivan Stoilkoviqi.

Në një nga pushimet ndodhi një incident i ri në Klubin e Deputetëve. Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli, kur pa se aty ndodhej edhe Stoilkoviqi, kërkoi që ai të largohej. Stoilkoviqi iu përgjigj duke i thënë: “Shëtit në Dibër”, pas së cilës reagoi deputeti Talat Xhaferi. Deputetë të tjerë të BDI-së dhe LSDM-së ndërhynë për të parandaluar një përleshje fizike.

Pas incidentit, LSDM kërkoi qasje në incizimet e kamerave të sigurisë në Kuvend, por kryetari i Kuvendit nuk e lejoi këtë, duke u arsyetuar se incizimet mbrohen nga Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe, për këtë arsye, nuk mund të vihen në dispozicion për shqyrtim.

Related Articles

Back to top button
Close
Close