
Projektligji “Shkupi – Kryeqytet Evropian të Kulturës 2028” u hoq nga rendi i ditës së sotme të seancës së Kuvendit. Vendimi erdhi pas koordinimit të jashtëzakonshëm mes kryetarit të Kuvendit dhe koordinatorëve të grupeve parlamentare, pasi më herët deputetët e opozitës bllokuan përcaktimin e rendit të ditës me vërejtje procedurale, përcjell TV21. Sipas marrëveshjes, ligji pritet të diskutohet në një seancë të re pas pushimit veror të deputetëve. Propozues i tij është grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së.
Ndërkohë, Platforma e organizatave të shoqërisë civile kundër korrupsionit kërkoi që miratimi i ligjit të ndalet, duke kundërshtuar procedurën e shkurtuar dhe mundësinë që Fondacioni “Kryeqyteti Evropian i Kulturës – Shkup 2028” të përjashtohet nga Ligji për Prokurimet Publike. Nga Platforma dhe Komisioni Anitkorrupsion vlerësojnë se për një projekt me fonde të konsiderueshme publike nevojiten më shumë transparencë, llogaridhënie dhe mekanizma të qartë kundër keqpërdorimeve.
“Për fat të keq, titulli prestigjioz Shkupi 2028 – Kryeqyteti Evropian i Kulturës për VMRO-GOK është bërë një mënyrë e re për larjen e parave. Organizata kriminale VMRO përsëri po tenton të kalojë një ligj me të cilin do t’i anashkalojë rregullat për prokurimet publike dhe do të hapë hapësirë për tenderë të rinj shumëmilionësh pa kontroll. Ata kanë përgatitur një ligj me të cilin 21 milionë euro para publike do të mund të shpenzohen pa zbatimin e Ligjit për Prokurimet Publike, pa tender”, deklaroi Bisera Kostadinovska Stojçevska – deputete e LSDM-së.



