LajmeMaqedoniTopLajm

Gostivari po i kthehet normalitetit, uji ende jo i pijshëm për shkak të një bakteri të ri

Gostivarasit thonë se po qetësohet gjendja me epideminë që erdhi nga uji i kontaminuar dhe situata gradualisht po kthehet në normalitetit.

Pasi u dha dritë jeshile që uji të mund të përdoret për pastrim, ata presin që gjatë kësaj jave uji nga ujësjellësi të mund të përdoret edhe për pije.

Por se kur uji do të mund edhe të pihet mbetet ende e paditur.

I pyetur për këtë, kryeministri Hristijan Mickoski tha në këtë moment uji mbetet vetëm për përdorim teknik.

“Pse?! Sepse tani në rrjet nuk ka më baktere fekale koliforme, por është paraqitur një bakter i ri. Ai është i pranishëm në instalime sepse nuk janë përdorur për një kohë të gjatë, ndërsa tani, me pastrimin dhe hiper-klorinimin e tyre, ai shfaqet në rrjet. Pres që edhe kjo sfidë të tejkalohet e më pas uji të jetë i pijshëm dhe i përdorshëm edhe për gatim”, theksoi Hristijan Mickoski, krymeinistër.

Për 24 orë, në Spitalin e Gostivarit janë paraqitur 71 pacientë me simptoma të helmimit dhe dhimbje barku. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaron se numri i pacientëve po shkon drejt rënies, gjë që sipas tij vjen si rezultat i përmirësimit të cilësisë së ujit në rrjetin e ujësjellësit. Shtoi se edhe në kushte normale, gjatë sezonit të verës mund të ketë rreth 50 deri në 60 pacientë në ditë, pasi jo të gjithë qytetarët i respektojnë udhëzimet dhe rekomandimet shëndetësore.

“Kemi përvojë nga epidemitë e pandemitë e kaluara dhe se disa njerëz janë të disiplinuar, e disa jo. Mirëpo, ajo që për mua tregon rënia në 71 – shifër që në thelb Gostivari do ta kishte në një muaj normal, ku do të kishte rreth 50 deri në 60 pacientë me shqetësime stomaku – është rezultat i trajtimit të duhur të ujit. Sa më i mirë të bëhet ai, aq më shumë do të ulet numri i rasteve të lidhura me ujin”, tha Sasho Klekovski, ministër i Shëndetësisë.

Kujtojmë se uji në Gostivar u ndot pas lëshimit në punë të tre pompave nga një kanal i jashtëm. Për këtë rast u arrestua drejtoresha e ndërmarrjes komunale të Gostivarit së bashku me dy bashkëpunëtorë të saj. Kriza kulmoi më 14 korrik, kur në spitalin e qytetit kërkuan ndihmë mjekësore rreth 600 pacientë me dhimbje barku, diarre, të vjella dhe temperaturë të lartë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close