LajmeMaqedoni

Çmontohet “Shkumbini 84 dhe 85”! Largohen gypat e hidrocentraleve në Leshnicë

Në Parkun Kombëtar Mali Sharr, më së një javë është duke u zhvilluar operacioni për çmontimin dhe largimin e gypave të Hidrocentraleve të vogla “Shkumbini84” dhe “Shkumbini85” në luginën e Leshnicës. Ky operacion kompleks realizohet nga Parku Kombëtar Mali Sharr në koordinim me institucionet kompetente shtetërore. Lajmi është bërë i ditur nga Parku Kombëtar. “Shumë bjeshkatarë, dashamirë të natyrës dhe vizitorë që gjatë tri javëve të fundit kanë vizituar Leshnicën kanë qenë dëshmitarë se në terren po zhvillohen punime. Në ditën Botërore të Mbrojtjes së Natyrës, dëshirojmë të njoftojmë zyrtarisht se ka filluar hapi i parë drejt rikthimit të natyrës në gjendjen e saj të mëparshme. Kjo nuk është një ndodhi e rastësishme.

Kjo është rezultat i një procesi të gjatë dhe të përkushtuar institucional, në të cilin Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr ka mbrojtur me përkushtim argumentet profesionale, ligjore dhe ato të mbrojtjes së natyrës përpara të gjitha institucioneve kompetente, me një qëllim të qartë – mbrojtjen e luginës së Leshnicës dhe ruajtjen e vlerave natyrore të Malit Sharr”, thonë nga Parku Kombëtar Mali Sharr.

Kjo sipas autoriteteve të Parkut Kombëtar nënkupton çmontimin e plotë të gypave të vendosur, largimin e tyre jashtë kufijve të Parkut Kombëtar, heqjen e strukturave prej betoni dhe restaurimin gradual të ekosistemit natyror të lumit.

“Qëndrimet tona kanë qenë gjithmonë të qarta dhe të bazuara në kornizën ligjore dhe në dokumentet profesionale. Plani i Menaxhimit të Parkut Kombëtar Mali Sharr përcakton qartë se ndërtimi i hidrocentraleve të reja nuk lejohet në asnjërën nga zonat e mbrojtjes, pasi ato paraqesin një nga kërcënimet më të mëdha për vlerat natyrore dhe ekosistemet ujore. Lugina e Leshnicës është një zonë me vlera të jashtëzakonshme natyrore, pjesë e rrjetit të ardhshëm Natura 2000 dhe zonë Emerald, mbrojtja e së cilës përbën një detyrim si kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Njëkohësisht, Parku Kombëtar kërkoi kthimin e lumit Shkumbin në gjendjen e mëparshme natyrore, gjë që nënkupton çmontimin e plotë të gypave të vendosur, largimin e tyre jashtë kufijve të Parkut Kombëtar, heqjen e strukturave prej betoni dhe restaurimin gradual të ekosistemit natyror të lumit”, sqarojnë nga Parku Kombëtar Mali Sharr.

Nga ky institucion janë të bindur se nga lugina e Leshnicës do të largohet edhe gypi i fundit i hidrocentraleve.

“Ky është një sukses i institucioneve, i të gjithë atyre që besuan se natyra meriton mbrojtje, por edhe i qytetarëve të shumtë, bjeshkatarëve, shkencëtarëve, shoqatave dhe dashamirësve të Malit Sharr, të cilët ndër vite e kanë mbështetur këtë përpjekje. Por puna jonë ende nuk ka përfunduar. Përpara nesh mbetet edhe një hap i rëndësishëm që është largimi i plotë i gypit të fundit dhe rikthimi përfundimtar i Leshnicës aty ku e ka vendin pra te natyra. Së shpejti do të ndajmë edhe momentin kur gypi i fundit do të largohet nga lugina e Leshnicës. Në Ditën Botërore të Mbrojtjes së Natyrës nuk shënojmë vetëm një datë. Ne shënojmë fillimin e rikthimit të natyrës në gjendjen e saj burimore”, bëjnë të ditur nga Parku Kombëtar Mali Sharr. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close