
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari,relizoi takim me ambasadorin Kilian Val, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, dhe Rusudan Tabatadze, shefe e Departamentit për Sundimin e së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut pranë Misionit të OSBE-së.
Në takim u bë vështrim mbi bashkëpunimin e deritanishëm në përgatitjen e ligjeve reformuese dhe mbi aktivitetet për zbatimin e Strategjisë Zhvillimore Sektoriale për Drejtësinë 2024–2028.
Ministri Shasivari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme profesionale dhe teknike që Misioni i OSBE-së e ofron në zbatimin e reformave në drejtësi, veçanërisht në procesin e përgatitjes së Kodit të ri Penal dhe Ligjit të ri për Procedurën Penale.
Në kuadër të takimit, ministrit Shasivari iu dorëzua ftesa për pjesëmarrje në konferencën ndërkombëtare „Krimi i organizuar në burgje“, e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup, e cila do të mbahet më 2 dhe 3 shtator në Shkup. Në konferencë do të marrin pjesë ministra, ambasadorë, ekspertë ndërkombëtarë dhe vendorë, si dhe përfaqësues të institucioneve relevante, ku do të diskutohet për sfidat dhe praktikat më të mira në përballjen me krimin e organizuar në institucionet ndëshkimore-korrektuese.
Partneriteti shumëvjeçar me OSBE-në ka rëndësi të madhe për Ministrinë e Drejtësisë në krijimin e kuadrit ligjor bashkëkohor dhe cilësor, të harmonizuar me standardet evropiane.
Bashkëpunimi i suksesshëm do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, në interes të forcimit të mëtejshëm të sundimit të së drejtës dhe të sistemit gjyqësor.



