LajmeMaqedoni

Maqedonia po mbytet nga ndotja e ajrit, e para në Evropë

Maqedonia e Veriut mbetet një nga vendet më të ndotura në Evropë dhe njëherazi kryeson renditjen evropiane me 146 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë. Treguesi i Maqedonisë është më shumë herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila në vitin 2023 ishte 41 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë. Treguesi i Eurostat mat numrin e vdekjeve të parakohshme që mund t’i atribuohen ekspozimit ndaj grimcave të imëta në ajër, ato që ndodhin përpara moshës së pritshme të vdekjes, e llogaritur sipas jetëgjatësisë në secilin vend, gjinisë dhe grupmoshës. Objektivi evropian është që deri në vitin 2030 të reduktohen me të paktën 55%, në krahasim me vitin 2005, ndikimet shëndetësore të ndotjes së ajrit të shprehura përmes vdekjeve të parakohshme nga PM2.5. Pragu i përcaktuar për BE-në është rreth 190.600 vdekje në vitin 2030. Me mbi 182 mijë vdekje të regjistruara në vitin 2023, Bashkimi Evropian në tërësi ka zbritur tashmë nën nivelin e synuar, por situata ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin.

Të dhënat tregojnë një hendek të fortë mes Ballkanit dhe pjesës veriore e perëndimore të Evropës. Pas Maqedonisë renditen Bosnja dhe Hercegovina (139 vdekje për 100 mijë banorë), Serbia (132 vdekje në 100 mijë banorë) Shqipëria (129 vdekje në 100 mijë banorë), Kosova (121 vdekje për 100 mijë banorë), Mali i Zi (89 vdekje më 100 mijë banorë). Edhe vendet fqinje të Bashkimit Europian paraqiten me nivele të larta, si Bullgaria (104 vdekje për 100 mijë banorë), apo Greqia (98 vdekje në 100 mijë banorë). Në pjesën tjetër të renditjes janë vendet nordike, si Finlanda me vetëm një rast vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, Suedia dy, Estonia tri dhe Norvegjia katër, kurse rekordi është në Islandë ku treguesi është zero.

Grimcat e imëta PM2.5, të cilat depërtojnë thellë në mushkëri dhe qarkullimin e gjakut, vazhdojnë të jenë një kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve. Raporti i fundit i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) tregon se përqendrimi mesatar i PM2.5 në Maqedoninë e Veriut ishte 22.3 mikrogramë për metër kub, më shumë se katër herë mbi nivelin që Organizata Botërore e Shëndetësisë e konsideron të sigurt. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndër vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas OECD-së, ndotja e ajrit nuk është vetëm problem mjedisor. Ajo lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sëmundjeve të zemrës, mushkërive dhe goditjeve në tru, ndërsa sjell edhe kosto të larta për sistemin shëndetësor dhe ekonominë e vendit. Mijëra qytetarë ekspozohen çdo ditë ndaj ajrit të ndotur, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, kur niveli i ndotjes arrin kulmin.

Burimet kryesore të ndotjes mbeten përdorimi i qymyrit për prodhimin e energjisë, ngrohja e amvisërive me dru dhe lëndë djegëse të ngurta, trafiku i dendur dhe emetimet industriale. Kombinimi i këtyre faktorëve, së bashku me kushtet klimatike, bën që ndotësit të qëndrojnë për periudha të gjata mbi qytetet. OECD vlerëson se vendi ka bërë përparim duke miratuar Planin Kombëtar për Mbrojtjen e Ajrit dhe duke përmirësuar monitorimin e ndotjes, por thekson se nevojiten masa më të forta. Investimet në energji të pastër, transport publik modern dhe sisteme më efikase të ngrohjes konsiderohen thelbësore për të ulur ndotjen dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Nëse këto masa nuk zbatohen me ritëm më të shpejtë, paralajmëron OECD, ndotja e ajrit do të vazhdojë të jetë një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Maqedonisë së Veriut.

Related Articles

Back to top button
Close
Close