​Gjini: Koha e bllokadave mbaroi, Aleanca do të jetë opozitë e pakompromis

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen presidente të Republikës së Kosovës, duke thënë se me përmbylljen e procesit të konsolidimit institucional, vendi i ka dhënë fund bllokadave politike dhe zgjedhjeve të vazhdueshme.

Gjini, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se kjo është një ditë e mirë për stabilitetin e vendit dhe qytetarët e Kosovës.

“Urime dhe suksese Presidentes së re të Republikës, Justina Shiroka-Pula!”, ka shkruar ai.

Kreu i Aleancës ka thënë se kjo parti del nga ky proces “me kokën lart”, duke theksuar se nuk ka hyrë në pazare politike apo kalkulime të minutës së fundit.

Ai ka thënë se tash përgjegjësia për qeverisjen u takon atyre që kanë marrë pushtetin.

“Koha e bllokadave mbaroi dhe përgjegjësia absolute u mbetet atyre që morën pushtetin. Prandaj, nga sot, puna jonë zhvendoset në terren”, ka shkruar Gjini.

Ai ka paralajmëruar se Aleanca do të jetë aktive në të gjitha komunat e Kosovës dhe do të veprojë si opozitë e pakompromis.