LajmeMaqedoniTopLajm

Zlateska: Qeveria po realizon investime të reja në ujësjellës, kanalizim dhe mbrojtje të mjedisit

Qeveria e udhëhequr nga VMRO‑DPMNE vazhdon me realizimin e investimeve kapitale dhe projekteve që sigurojnë një mjedis më të pastër, infrastrukturë komunale më të mirë dhe cilësi më të lartë jete për qytetarët. Përmes investimeve të rëndësishme në rregullimin e shtretërve të lumenjve, ndërtimin dhe rikonstruksionin e sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, si dhe stacioneve të pastrimit, Qeveria krijon kushte moderne dhe të qëndrueshme për zhvillimin e komuniteteve lokale dhe mbrojtjen e resurseve natyrore, theksoi deputetja e VMRO‑DPMNE‑së, Biserka Zlateska.

Ajo nënvizoi se ka përfunduar me sukses rregullimi i shtratit të lumit Mala Rada, ndërsa është në vijim realizimi i projektit për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit në vendbanimin Lenishte, me vlerë mbi 21 milionë denarë.

Po ashtu, projekti për zëvendësimin e rrjetit të ujësjellësit në pjesë të bulevardit “Goce Dellçev” dhe rrugëve “Kuzman Josifoski” dhe “Leninova”, me vlerë mbi 7 milionë denarë, është në fazë përfundimtare. Me këtë rikonstruksion zvogëlohen humbjet e ujit në sistem dhe përmirësohet cilësia e shërbimeve.

Ka nisur edhe ndërtimi i sistemit të kanalizimit për ujërat e zeza në fshatin Vraništa, komuna e Strugës – investim me vlerë mbi 91 milionë denarë, i financuar plotësisht përmes Thirrjes së Dytë të kredisë hungareze. Projekti përfshin ndërtimin e rrjetit primar dhe sekondar të kanalizimit, vendosjen e pusetave revizionale dhe lidhjet për amvisëritë, si dhe sigurimin e shkarkimit të kontrolluar të ujërave të zeza.

Në vijim është edhe ndërtimi i stacionit të pastrimit në Çuçer Sandevo, i nisur në tetor të vitit të kaluar, me investim prej rreth 70 milionë denarë. Ky projekt paraqet vazhdimësi të përmirësimit të sistemeve për trajtimin e ujërave të zeza, forcimin e infrastrukturës në nivel lokal dhe kombëtar dhe krijimin e një mjedisi më të shëndetshëm.

Zlateska theksoi se janë siguruar mjete dhe ka nisur realizimi i mbi 300 projekteve infrastrukturore të përmasave të ndryshme, duke përfshirë sisteme moderne të ujësjellësit dhe kanalizimit, si dhe stacione pastrimi në të gjithë vendin.

“Këto projekte janë themelet e kthesës së gjelbër që po ndërtojmë dhe ndaj së cilës Qeveria është plotësisht e përkushtuar. Do të vazhdojmë të forcojmë partneritetin me aktorët vendorë dhe ndërkombëtarë në përballjen me sfidat e ndryshimeve klimatike, zjarreve pyjore, prerjeve ilegale, ndërtimeve pa leje, gjuetisë së paligjshme dhe kërcënimeve të tjera ndaj resurseve natyrore – me qëllimin e vetëm për një mjedis më të shëndetshëm dhe cilësi më të mirë jete për të gjithë qytetarët.”

Related Articles

Back to top button
Close
Close