Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa tha të martën se Siria dhe Izraeli kishin arritur marrëveshje prej afro 90 për qind në negociatat për një kornizë sigurie, para se Izraeli të tërhiqej ose të paraqiste kushte shtesë, transmeton Anadolu.
“Kishte disa raunde negociatash me Izraelin dhe pothuajse arritëm në 90 për qind të marrëveshjeve”, tha Al-Sharaa në një panel të Këshillit Atlantik në New York, duke shtuar se Izraeli më pas u tërhoq nga marrëveshja për “arsye të ndryshme”.
“Që nga rënia e regjimit të mëparshëm, Izraeli po përsërit sulmet dhe agresionet ndaj Sirisë. Ai po pushton territore të reja”, tha ai duke shtuar se Izraeli vazhdon të kryejë inkursione, arrestime dhe bombardime brenda Sirisë.
“Siria ende zgjodhi të ndjekë rrugën e diplomacisë dhe ta zgjidhë këtë problem përmes dialogut dhe negociatave. Ne ende jemi të angazhuar në këtë proces, por duhet të mbrojmë sigurinë dhe të drejtat e sirianëve. Para kësaj, nuk mund të flasim për paqe”, shtoi Al-Sharaa.
Ai tha se negociatat e drejtpërdrejta me Izraelin nisën rreth një vit më parë ndërsa Damasku fillimisht kërkoi tërheqjen e Izraelit në vijat që mbante në vitin 1974, para se të diskutoheshin marrëveshjet e sigurisë.
“Nëse këto marrëveshje do të kishin sukses, atëherë mund të hynim në diskutime për një paqe të qëndrueshme. Lartësitë e Golanit janë territor sirian sipas njohjes së Kombeve të Bashkuara. Prandaj, nuk ka diskutim se kujt i përket ky territor”, tha presuidenti sirian.
Ai propozoi krijimin e një komiteti ndërkombëtar për të vlerësuar shqetësimet e sigurisë së Izraelit dhe për të “verifikuar se çfarë është vetëm perceptim dhe çfarë janë shqetësime reale”.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje për njohjen nga administrata e Trumpit të sovranitetit izraelit mbi Golanin, Al-Sharaa tregoi një shaka që i kishte bërë presidentit amerikan Donald Trump gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë: “Pse nuk ua jepni New Jersey-n izraelitëve? Ju nuk e zotëroni Golanin për t’ua dhënë atyre, por e zotëroni New Jersey-n”.
Al-Sharaa vizitoi Shtëpinë e Bardhë në nëntor të vitit të kaluar, në vizitën e parë të një presidenti sirian që nga pavarësia e vendit në vitin 1946. Ai ishte takuar më parë me Trumpin në Riad në maj 2025, pak para se Washingtoni të hiqte sanksionet e Caesar-it.


