
Pas mbylljes se seancës së paradites dhe planifikimit të një tjetër seance sot në 15:00 për kalimin në mënyrë të përshpejtuar të marrëveshjes së huas direkte prej 302 milionë dollarësh amerikanë të dedikuar për mbrojtjen nga SHBA, ka folur kryetari i PD, Sali Berisha.
Ai shprehet se PD nuk do ta votojë këtë ligj, pavarësisht se është pro kësaj marrëveshjeje me SHBA-në. Arsyeja është se sipas PD, kalimi në votim në mënyrë të përshpejtuar përbën shkelje kushtetuese.
“Kjo është historia më e turpshme. Një vend anëtar i NATO-s vendos shtetrrethim ndaj qytetarëve si të ishte Koreja e Veriut. Qindra zetorë nëpër katër anët e vendit janë ndalur në rrugë nga policia.
Kjo që ndodh brenda në parlament është një akt i turpshëm i Edi Ramës, që kërkon të kalojë ligjin me procedurë jo-kushtetuese. Ka një përcaktim në kushtetutë që nuk lejon kalimin me procedurë të përshpejtuar pa afat 1-javor. Edi Rama kërkon me çdo kusht të tregojë se Kushtetuta është letër e vdekur për të.
Ky është një sundimtar që nuk ka ligj e moral. Përse u zhduk nga çdo cep i parlamentit flamuri i NATO-s? Në një nga veprimet më të parë dha këtë urdhër. Ne nuk do të votojmë në procedura antikushtetuese në mënyrë absolute. Ne jemi pro kredisë, por kërkojmë që kjo procedurë të bëhet në përputhje me Kushtetutën”, shprehet Berisha.



