LajmeSport

Lamtumira e Ronaldos në shtator

Cristiano Ronaldo pritet t’i japë fund karrierës së tij me Kombëtaren e Portugalisë, pas një ndeshjeje të fundit në Ligën e Kombeve kundër Uellsit.

Sipas raportimeve, sulmuesi legjendar do të përshëndetet me fanellën e Portugalisë në sfidën që do të zhvillohet më 24 shtator në stadiumin e Sporting Lisbonës.

Për muaj të tërë, e ardhmja e Ronaldos me kombëtaren ka qenë objekt spekulimesh sidomos gjatë Botërorit në Amerikë, por tashmë duket se është vendosur data e fundit e një karriere historike në arenën ndërkombëtare.

Ky largim i mundshëm përkon edhe me nisjen e një epoke të re te Portugalia, pas emërimit të Jorge Jesus si trajner i ri i kombëtares.

Tekniku portugez, i cili ka firmosur një kontratë katërvjeçare, ka bërë të qartë se nuk do të ndërmarrë ndryshime të menjëhershme në skuadër, duke i hapur rrugën Ronaldos për një lamtumirë dinjitoze.

Nëse këto raportime konfirmohen, Cristiano Ronaldo do ta mbyllë aventurën e tij me Portugalinë si futbollisti me më shumë paraqitje dhe golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit ndërkombëtar.

41-vjeçari ka zhvilluar 233 ndeshje me fanellën e Portugalisë dhe ka realizuar plot 146 gola.

Me Portugalinë, Ronaldo ka fituar Kampionatin Evropian në vitin 2016, si dhe dy trofe të Ligës së Kombeve, në vitet 2019 dhe 2025.

Largimi i pesë herë fituesit të “Topit të Artë” mund të sjellë një rënie të ndjeshme të vëmendjes mediatike, interesit të sponsorëve dhe të ardhurave financiare për Federatën Portugeze të Futbollit.

Për këtë arsye, drejtuesit e federatës pritet të nisin përgatitjet për një strategji të re, me synimin për të përballuar sa më mirë epokën pas Cristiano Ronaldos.

Megjithatë, karriera e tij nuk pritet të marrë fund. Ronaldo mbetet pjesë e Al-Nassr, me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2027, duke synuar të shtojë edhe më tej rekordet dhe sukseset në nivel klubesh.

Related Articles

Back to top button
Close
Close