
Carlo Ancelotti ka refuzuar ofertën për të marrë drejtimin e kombëtares së Italisë, duke i dhënë fund spekulimeve që e lidhnin me pankinën e “Azzurrëve”.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Federata Italiane e Futbollit ka kontaktuar trajnerin aktual të Brazilit, me synimin për ta bindur që të rikthehej në vendlindje dhe të merrte drejtimin e përfaqësueses italiane, transmeton Klanksova.tv.
Megjithatë, përgjigjja e teknikut me përvojë ka qenë e prerë, pasi ai nuk ka pranuar ofertën.
Konfirmimin për interesimin e federatës e ka dhënë edhe ish-kapiteni dhe legjenda e Italisë, Paolo Maldini.
Ai bëri të ditur se drejtuesit e futbollit italian kishin zhvilluar kontakte si me Pep Guardiolën, ashtu edhe me Carlo Ancelottin, në kuadër të kërkimeve për një selektor të ri.
Megjithatë, Ancelotti ua ka bërë të qartë drejtuesve të Federatës Italiane se është plotësisht i përkushtuar ndaj projektit që ka nisur me kombëtaren e Brazilit.
Ai nuk ka ndërmend të largohet nga posti aktual, duke vlerësuar se ky nuk është momenti për të ndërprerë punën me “Seleçaon”.
Me këtë vendim, trajneri italian i mbyll për momentin dyert një rikthimi te kombëtarja e vendlindjes, ndërsa fokusi i tij mbetet te Brazili dhe objektivat që synon të arrijë me përfaqësuesen braziliane në garat e ardhshme.



