Kulla Eiffel mbyllet pas grevës për trajtimin e punonjëseve

Kulla Eiffel është mbyllur të hënën pasi punonjësit hynë në grevë, pas pretendimeve se punonjëset gra ishin larguar nga vendet e tyre të punës gjatë vizitës së një grupi fetar hindu.

Sipas Euronews, rasti lidhet me vizitën e rreth 100 personave të lidhur me lëvizjen hindu Bochasanwasi Akshar Purushottam Swaminarayan Sanstha (BAPS).

Përfaqësuesja e sindikatës, Diane Davoine, tha se punonjëset gra ishin “larguar nga vendet e tyre të punës teksa delegacioni kalonte pranë tyre”.

Punonjësit e Kullës Eiffel thanë se udhëzimet kishin çuar në “mënjanimin, zëvendësimin dhe bërjen të padukshme të punonjëseve për shkak të gjinisë së tyre”.

Tempulli hindu BAPS në Paris tha se i merr seriozisht shqetësimet e ngritura dhe kërkoi falje për “çdo shqetësim apo bezdi të shkaktuar”.

Edhe kryetari i Parisit, Emmanuel Grégoire, e cilësoi të papranueshme pranimin e kushteve të tilla dhe bëri të ditur se do të niset një hetim për incidentin.

Presidentja e Asamblesë Kombëtare, Yaël Braun-Pivet, gjithashtu e dënoi rastin.

“Refuzoj të pranoj që grave t’u thuhet të largohen për t’iu përshtatur kërkesave të vizitorëve të huaj”, tha ajo.