
Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar ndjeshëm retorikën ndaj Iranit, duke paralajmëruar se SHBA-të do të godasin së shpejti objektin bërthamor më të fshehtë dhe më të fortifikuar të regjimit iranian, të njohur si Pickaxe Mountain, ku sipas inteligjencës izraelite janë fshehur centrifugat për pasurimin e uraniumit që i kanë mbijetuar sulmeve të mëparshme.
Gjatë një deklarate nga Zyra Ovale, ku priti presidentin e Libanit, Joseph Aoun, Trump tha se aktualisht nuk ka interes për rifillimin e dialogut diplomatik me Teheranin, megjithëse nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë e negociatave nëse Irani do të ishte i gatshëm për një marrëveshje “me të vërtetë domethënëse”.
Presidenti amerikan u shpreh gjithashtu i gatshëm të bisedojë edhe me Hezbollahun, nëse kjo do të ndihmonte në arritjen e një zgjidhjeje. Këto deklarata vijnë në një kohë kur Uashingtoni po përpiqet të arrijë një marrëveshje mes Izraelit dhe Libanit për tërheqjen e trupave izraelite nga territori libanez dhe çarmatimin e milicive shiite të mbështetura nga Teherani.
Ndërkohë, dita nisi me njoftimin e rebelëve Houthi se kishin filluar bllokimin e ngushticës së Bab al-Mandeb, duke detyruar gjashtë anije të ndryshonin itinerarin. Një zhvillim i tillë mund të ndikojë rëndë në trafikun detar drejt Kanalit të Suezit, nga ku kalon afro 10% e tregtisë globale të naftës dhe gazit. Trump reagoi me kujdes, duke thënë: Ende nuk ka ndodhur. Nëse ndodh, do të merremi me të.
Megjithatë, toni i tij u bë shumë më i ashpër kur foli për Iranin.
“Irani nuk ka parë ende asgjë. Deri tani kemi qenë të përmbajtur. Do ta godasim së shpejti Pickaxe Mountain dhe me forcë të madhe”, deklaroi Trump, duke shtuar se centrifugat e fshehura atje janë të padobishme pa uraniumin e pasuruar, i cili sipas tij monitorohet nga afër nga SHBA.
“Ne nuk kemi mbaruar dhe nuk kemi ndërmend të largohemi. Ndoshta po përpiqen të rindërtojnë një objekt bërthamor. Do ta godasim me forcë”, tha presidenti amerikan.
Trump shtoi se autoritetet iraniane “duan me dëshpërim të takohen me ne”, por theksoi se Uashingtoni nuk ka interes për bisedime derisa Teherani të jetë i gatshëm për negociata serioze.
Sipas mediave amerikane, bombardimet që vazhdojnë prej rreth 10 ditësh synojnë të shtojnë presionin mbi regjimin iranian. Megjithatë, sipas një vlerësimi të raportuar nga Washington Post, CIA beson se sulmet ajrore nuk do të mjaftojnë për të ndryshuar qëndrimin e Teheranit dhe se Irani mund t’i rezistojë për disa muaj një bllokade të Ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, lufta po sjell edhe pasoja politike dhe ekonomike për administratën Trump. Popullariteti i presidentit është në rënie sipas sondazheve, çmimet e naftës janë në rritje, inflacioni po rikthehet si shqetësim dhe Pentagoni, pavarësisht një buxheti vjetor prej 1 mijë e 500 miliardë dollarësh, i ka kërkuar Kongresit edhe 87 miliardë dollarë shtesë për të vazhduar operacionet ushtarake.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane kanë pranuar se kanë marrë mesazhe nga SHBA përmes Katarit dhe se kanë zhvilluar takime me ndërmjetës në Pakistan, të cilët kanë propozuar një armëpushim 10-ditor për të ringjallur negociatat. Për momentin, megjithatë, një zgjidhje diplomatike duket ende e largët.



