
Qeveria peruane shpalli gjendje të jashtëzakonshme të hënën në Chongos Bajo, një rajon i Andeve që u godit të shtunën nga një tërmet që la të paktën gjashtë të vdekur dhe dëme të shumta materiale.
Epiqendra e tërmetit ishte në rajonin Chongos Bajo, rreth 300 kilometra në lindje të kryeqytetit Lima.
“Për të garantuar mbrojtjen e qytetarëve të prekur nga tërmeti me magnitudë 5.1 në (prefekturën e) Junin, qeveria ka zyrtarizuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në pesë rajonet e prekura, thuhet në një deklaratë qeveritare.
Masa, e vlefshme për 60 ditë, do t’u lejojë autoriteteve të përshpejtojnë krijimin e qendrave mjekësore në terren, dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit, largimin e mbeturinave dhe rindërtimin e infrastrukturës.
Autoritetet kanë konfirmuar gjashtë vdekje, njoftoi të dielën kryeministri Luis Henrique Arroyo.
Nga ana e tij, instituti kombëtar i mbrojtjes civile (INDECI) raportoi 32 të plagosur, 52 shtëpi të shkatërruara dhe dëme në infrastrukturën e shkollave, kishave, qendrave shëndetësore dhe shërbimeve publike.
INDECI raportoi gjithashtu se 122 anëtarë të forcave të sigurisë u mobilizuan për të marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe pastrimit dhe se qendrat e pritjes dhe akomodimit u hapën për afërsisht 300 viktima të tërmetit.
Personeli ushtarak, oficerët e policisë dhe zjarrfikësit vazhduan të kërkonin të mbijetuar në rrënojat e shtëpive të shkatërruara të hënën, sipas pamjeve të mediave lokale.
Tërmeti më i fundit shkatërrues që ka goditur Perunë u regjistrua në qytetin Pisco, në pjesën jugore të shtetit të Andeve, më 15 gusht 2007: një tërmet shumë i fortë me magnitudë 7.9 ballë vrau të paktën 595 persona dhe shkaktoi një cunami të vogël.



