BotaLajme

Trump: Goditëm Iranin ‘në nderim’ të ushtarëve amerikanë të vrarë

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se sulmet e fundit të SHBA-së kanë goditur “shumë rëndë” Iranin, duke shtuar se ato u kryen “në nderim” të tre ushtarëve amerikanë të vrarë ditët e fundit, dy në Jordani dhe një në Irak.

Në orët e para të së hënës (20 korrik) sipas orës lokale, Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) njoftoi se kishte nisur një “valë të re” sulmesh, për të nëntën natë radhazi, ndërsa shpërthime u raportuan në disa zona të Iranit.

Sipas ushtrisë amerikane, objektivat ishin baza ushtarake dhe rrjete komunikimi, me qëllim “dobësimin e mëtejshëm” të aftësisë së Teheranit për të sulmuar anijet në ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Irani deklaroi se kishte kundërpërgjigjur me një “sulm surprizë” në Siri dhe se kishte shënjestruar avionë amerikanë në aeroportin Aqaba të Jordanisë.

Ndërkohë, ushtria e Kuvajtit njoftoi se kishte interceptuar disa dronë iranianë në rajon.

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve “Tasnim” raportoi se disa qytete ishin goditur nga sulmet amerikane, përfshirë Tabrizin, Çabahar, Konarak, Bandar Mahshahr dhe Bandar Imam Khomeini.

Mediet shtetërore iraniane raportuan gjithashtu se dy cisterna nafte kishin shpërthyer teksa përpiqeshin të kalonin ngushticën e Hormuzit. Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) pretenduan se anijet po kalonin në një “rrugë jugore të pasigurt dhe të rrezikshme” dhe se “shpërthyen dhe mbetën të bllokuara”. Komanda Qendrore amerikane i hodhi poshtë këto pretendime.

IRGC deklaroi gjithashtu se ngushtica e Hormuzit “nuk do të jetë e sigurt për transportin e produkteve petrokimike, madje as për një pikë të vetme nafte apo gazi”, për sa kohë që sulmet amerikane do të vazhdojnë, duke paralajmëruar një “operacion ndëshkues”.

Tre ushtarë amerikanë të vrarë në sulmet e fundit

Gjatë fundjavës, SHBA konfirmoi se një ushtar amerikan ishte vrarë pas një sulmi iranian në veri të Irakut të shtunën.

Vdekja e tij erdhi një ditë pas një sulmi ndaj një baze amerikane në Jordani, ku u vranë dy ushtarë amerikanë dhe një tjetër u raportua i zhdukur. Ushtria amerikane tha se ishin gjetur “mbetje të paidentifikuara”, ndërsa procesi i verifikimit vijon.

Ndërsa përplasjet mes SHBA-së dhe Iranit vazhdojnë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Uashingtoni “mbetet gjithmonë i hapur për një zgjidhje diplomatike”.

Rubio tha gjithashtu se “bota duhet të vendosë nëse do të lejojë që një rrugë ujore ndërkombëtare të jetë nën kontrollin” e Iranit, duke akuzuar Teheranin se po përdor ngushticën strategjike si mjet presioni.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur një marrëveshje paraprake e arritur në mes të qershorit për ndalimin e luftimeve është drejt dështimit. Negociatat për një paqe të përhershme kanë bërë pak përparim, pasi Trump deklaroi më 8 korrik se marrëveshja ishte “e përfunduar”. /BBC/

Related Articles

Back to top button
Close
Close