Franca u ka bërë thirrje shtetasve të saj që ndodhen në Kosovë, që të tregojnë vigjilencë gjatë së mërkurës, përkatësisht në ditën kur do të shpallet aktgjykimi për katërshen e UÇK-së në Hagë.
Në një njoftim të Ministrisë së Jashtme thuhet se për këtë ditë janë planifikuar tubime të mëdha politike në të gjitha qytetet e Kosovës.
“Tubime – Thirrje për vigjilencë. Më 16 shtator, duke filluar nga ora 10:00, janë planifikuar tubime të mëdha politike në të gjitha qytetet e Kosovës. Shtetasit francezë këshillohen të qëndrojnë larg këtyre tubimeve. Ata duhet të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme brenda qyteteve dhe në gjithë vendin deri në fund të ditës”, thuhet në njoftim.
Nesër, më 16 shtator, shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Në prag të verdiktit të Speciales ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, edhe Ambasada e SHBA-së të hënëm ka paralajmëruar shtetasit amerikanë që të mërkurën, më 16 shtator, t’i shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve ku mund të ketë demonstrata. Po ashtu i ka bërë thirrje personelit të ambasadës që të mërkurën të mos i dërgojë fëmijët në shkollë.


