LajmeMaqedoni

Levica: Nuk heqim dorë nga një njësi zgjedhore

Levica thotë se VMRO‑DPMNE kot përpiqet ta shndërrojë fajin e vet në propagandë kundër Levicës. Sipas partisë, pushteti nuk ishte vëzhgues i pafuqishëm i procesit, por organizator i tij, propozues dhe mbajtës i shumicës parlamentare. Prandaj, nëse VMRO‑DPMNE kërkon fajtor për mosmiratimin e Kodit Zgjedhor, “duhet së pari të shikojë në radhët e veta, në mospërputhjet e veta dhe në kushtet që i vendosi qëllimisht në momentin e fundit për ta minuar procesin”.
Sipas Levicës, pushteti që dëshiron të realizojë agjendë reformiste nuk vendos “vija të kuqe të papranueshme dhe shantazhuese në minutën e fundit”, por ndërton konsensus dhe heq pengesat.

Levica shton: “VMRO‑DPMNE jo vetëm që nuk i hoqi pengesat, por i prodhoi. Pasi me muaj të tërë e shmangu thelbin, në vetë fundin futi një çështje që nuk ishte pjesë e punës së Grupit të Punës dhe e shpalli si vijë të pakalueshme. Kjo është një diversion e tempiruar – së pari krijohet një kusht që të tjerët nuk mund ta pranojnë, pastaj lihet afati të skadojë, e në fund kumtesa e përgatitur paraprakisht e shpall Levicën fajtore.”

Sipas Levicës, VMRO‑DPMNE nuk dëshironte Kod Zgjedhor që demokratizon sistemin, por dokument që ruan “komfortin e tyre zgjedhor”. Në momentin kur u bë e qartë se një njësi zgjedhore dhe kushtet e barabarta do ta forconin Levicën, “agjenda evropiane u hodh nën tavolinë, ndërsa me SDSM u zgjodh aranzhmani më i sigurt – më mirë shteti të mbetet me obligime të paplotësuara sesa të rrezikohet monopoli i tyre i përbashkët”.

Levica thekson se partitë që janë të sigurta në mbështetjen e popullit “nuk ikin nga një njësi zgjedhore, nuk kërkojnë shpëtim në manipulime zgjedhore dhe nuk sigurojnë avantazh milionësh nga buxheti për reklamim politik”. Sipas tyre, nga rregullat e barabarta frikësohen vetëm ata që e dinë se pesha e tyre reale politike është më e vogël se fuqia që ua dhuron sistemi.

Në fund, Levica thotë: “VMRO‑DPMNE mund të prodhojë kumtesa, të shpikë koalicione dhe të shpallë çdo kritikë si sulm ndaj shtetit, por nuk mund ta fshehë rezultatin se ata e lanë afatin të skadojë, futën kushtin shantazhues në momentin e fundit dhe e sakrifikuan reformën për ta ruajtur monopolin zgjedhor. Agjenda reformiste nuk është e paplotësuar për shkak të Levicës, por sepse VMRO‑DPMNE e vendosi kalkulimin partiak mbi interesin publik.”

Related Articles

Back to top button
Close
Close