
Një pjesë e madhe e hoteleve dhe objekteve hotelierike, si dhe lagjet turistike që ndodhen përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit, bashkë me shtëpitë private në Saraishte, Kaneo, te kisha “Shën Sofia”, por edhe shtëpitë përgjatë gjithë bregut, si dhe fshatrat Trpejcë, Ljubanishtë dhe Radozhdë, janë ndotës potencialë ose të drejtpërdrejtë të Liqenit të Ohrit, informon Instituti i Shëndetit Publik (IShP), i cili edhe këtë vit e publikoi Raportin për vlerësimin e cilësisë dhe sigurisë të ujërave sipërfaqësore për larje rekreative.
Siç dihet tashmë nga raportet e mëparshme të IShP-së, për mbrojtjen e liqenit është ndërtuar një sistem kolektori, i cili i mbledh ujërat e zeza nga Ohri dhe Struga, të cilat më pas trajtohen në stacionin e pastrimit në fshatin Vranisht, por, sipas informacionit ekzistues nga inspektimet sanitare dhe higjienike në terren të kryera nga Qendra e Shëndetit Publik në Ohër ende ka objekte të ndërtuara në vitet e fundit që nuk janë kyçur në sistemin e kolektorit, e që paraqesin ndotës potencialë.
“Bëhet fjalë për objekte hotelierike, si dhe lagje turistike që ndodhen përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit nga Hoteli “Desaret” deri në Shën Naum, objekte hotelierike, si dhe lagje turistike që ndodhen nga Struga deri në fshatin Radozhdë. Në këtë segment i vetmi hotel i lidhur me sistemin e kolektorit është hoteli “Makpetroll” përmes sistemit të kolektorit nga fshati Ladorisht, Hoteli “Biser” dhe fshati Kalisht. Pastaj, shtëpitë që ndodhen në bregun e Liqenit të Ohrit nga plazhi “Saraishte” deri në kishën “Shën Sofia” deri në pjesën buzë bregut në lagjen Kaneo. Shtëpitë private përgjatë gjithë bregut, si dhe vendbanimet rurale: Trpejca, Lubanishta dhe Radozhda për largimin e ujërave të zeza komunale përdorin jama septike, zbrazja e të cilave në disa vende kryhet nga shërbimi publik komunal. Në fshatin Radozhdë jamat septike nga shtëpitë ose derdhen direkt në liqen, ose, meqenëse ndodhen në bregun e plazhit, hidhen në liqen dhe kështu janë ndotës të drejtpërdrejtë të tij”, theksohet në raport, ku thuhet edhe se ndotës janë edhe banaqet e vendosur në bregun e liqenit, d.m.th. në vetë plazhet.
Në Shën Naum ka një thërrmues të ujërave të zeza, por nuk ka filtra, e as nuk bëhet klorimi i ujërave të zeza
Siç informojnë nga ISHP ndotës janë edhe edhe gypat e shkarkimit për mbledhjen e ujërave atmosferike që derdhen në liqen, në të cilët, siç thuhet, qëllimisht ose pa dashje janë të kyçura edhe gypat derdhëse të ujërave të zeza nga objektet kolektive të banimit dhe shtëpitë private. Pastaj, si ndotës të liqenit janë radhitur edhe pishinat si pjesë e objekteve hotelierike ose Pishina e Qytetit.
“Hoteli “Shën Naum”, restoranti “Ostrovo” dhe objektet e tjera hotelierike në Shën Naum janë të kyçura me sistemin lokal të kanalizimeve që është ndërtuar në vitin 2013. Sistemi i kanalizimeve të Shën Naumit nuk funksionon, domethënë, trajtimi i ujërave të zeza nuk është i plotë sepse ekziston vetëm thërrmues i ujërave të zeza, por nuk ka filtra dhe ujërat e zeza nuk klorohen para se ato të derdhen në liqen, gjë që është një ndotje e drejtpërdrejtë e liqenit. Në autokampet Ljubanishtë, Livadhishte dhe Gradishte – parimi i funksionimit të putoks stacioneve konsiston në trajtimin mekanik dhe kimik (në autokampin Gradishte), trajtimin mekanik, biologjik dhe kimik (në kampin Ljubanishtë), ndërsa në autokampin Livadhishte parimi i trajtimit të ujërave të zeza është mekanik dhe biologjik. Që putoks stacionet të funksionojnë siç duhet nevojitet zbrazje e rregullt e vendeve të grumbullimit në çdo tre, gjashtë ose maksimum çdo dymbëdhjetë muaj, si dhe pastrimi, larja dhe dezinfektimi i rregullt mekanik i tyre”, thuhet në raport.
Analizat e kryera në muajin maj dhe qershor treguan se larja në liqen është e sigurt
Pas inspektimeve në terren dhe analizave laboratorike të mostrave të ujit sipërfaqësor nga Liqeni i Ohrit dhe mendimit të ekspertëve, uji nga Liqeni i Ohrit në periudhën nga 20.05.2026 deri më 24.06.2026 i përmbush kërkesat ligjore për sa i përket analizës kimiko-fizike dhe klasifikohet në klasin I, thuhet në raport.
“Gjendja është e këtillë me përjashtim të mostrës së marrë në pikën e matjes Grashnica (plazhi), nga një nga derdhjet e ujit atmosferik ku uji sipërfaqësor është klasifikuar në klasin III. Sa i përket parametrave mikrobiologjikë shumica e mostrave të ujit sipërfaqësor klasifikohen me vlerësimin “Shkëlqyeshëm”, me përjashtim të mostrave të marra në pikat e matjes Hotel “Rojall” (plazhi), Labino (plazhi) dhe Kanali Studençishta, ku uji sipërfaqësor vlerësohet me “Mirë”, ndërsa në pikën e matjes Grashnica (plazhi) mostra e ujit sipërfaqësor nuk i përmbush kriteret mikrobiologjike për cilësinë e një mostre individuale për vlerësim “Shkëlqyeshëm” ose për vlerësim “Mirë”, thuhet në raport.
Autoritetet të krijojnë sistem funksional të kolektorit
Sa i përket rekomandimeve nga ISHP për përmirësimin e gjendjes, nevojitet një sistem kolektori plotësisht funksional që do t’i mbulojë të gjitha objektet përgjatë bregut të liqenit – hotele, objekte hotelierike, shtëpi private, ndërtesa banimi dhe vendbanime nga Shën Naumi deri në Radozhdë.
“Nevojitet eliminim urgjent i defekteve në sistemin ekzistues, parandalim i përzierjes së ujërave të zeza fekale dhe atmosferike, si dhe sigurimi i funksionimit të pandërprerë të stacioneve të pompimit për t’i shmangur derdhjet direkte të ujërave të zeza në liqen gjatë reshjeve të dendura. Rekomandohet mirëmbajtja dhe pastrimi i rregullt i sistemeve lokale të trajtimit në autokampe, kontrollimi dhe sanimi i burimeve të mundshme të ndotjes nga lumenjtë që derdhen në liqen, si dhe parandalimi i shkarkimit direkt të ujërave të zeza nga amvisëritë dhe objektet hotelierike. QShP Ohër do të vazhdojë me monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit në plazhe, me qëllim zbulimin në kohë të rreziqeve dhe sigurimin e kushteve të sigurta për larje rekreative në përputhje me standardet kombëtare dhe evropiane”, thuhet në rekomandimet e IShP-së.
Nuk ka ndotës në Liqenin e Prespës
Personat përgjegjës në IShP kanë marrë mostra për ekzaminimin edhe të ujit në Liqenin e Prespës. Mostra të ujërave sipërfaqësore për analiza bakterologjike dhe kimiko-fizike u morën nga 6 pika matëse: Plazhi i Stenjës, Oteshevë, Pretor, Slivnicë, Kranjë dhe Dollno Dupeni. Nuk vihen re ndotës potencialë, thuhet në raportin e IShP-së.
“Plazhi në Pretor është një plazh natyror, i cili është pjesërisht i rregulluar me rërë të bukur dhe të imët. Nuk ka lulëzim të dukshëm algash në ujë. Nuk vihen re burime potenciale të ndotjes. Shkalla e rrezikut nga ndotja është e ulët. Në plazh nuk vihet re ndotje e dukshme. Në plazh nuk ka sistem informimi për cilësinë e plazhit. Nuk ka as metoda paralajmërimi në rast rreziku në plazh dhe ujë. Ujërat e zeza nga të gjitha objektet mblidhen në rezervuarët e vet septikë, vetëm pushimorja e fëmijëve “Mite Bogoevski” ka një stacion pastrimi që nuk funksionon. Largimi i mbeturinave të ngurta në disa nga objektet është i organizuar, por shumica e tyre i djegin ato, ndërsa në vikendshtëpizat individuale largimi i mbeturinave të ngurta zgjidhet individualisht”, thuhet në raportin e IShP-së.

Liqeni i Dojranit ndotet nga pesticidet, turistët dhe ujërat e zeza nga vikendshtëpizat
Bujqësia është identifikuar si një ndotës potencial i ujërave të Liqenit të Dojranit, duke pasur parasysh se në afërsi të liqenit ka zona bujqësore të punueshme, ndërsa për kultivimin e kulturave përdoren pesticide dhe plehra artificiale, të cilat, përmes ujitjes, me rrjedha ujore atmosferike dhe nëntokësore, i ndotin ujërat e akumulacionit.
“Ndotës janë edhe familjet nga vendbanimet rurale dhe vikendshtëpizat ku mbeturinat e ngurta dhe të lëngëta (ujërat e zeza komunale) nuk eliminohen në përputhje me standardet sanitare dhe higjienike, si dhe qytetarët që pushojnë në brigjet e liqenit. Për përmirësimin dhe mbrojtje afatgjatë të sigurisë shëndetësore dhe gjendjes ekologjike të Liqenit të Dojranit nevojitet një qasje e koordinuar përmes aktiviteteve të përbashkëta nga pala maqedonase dhe ajo greke, me qëllim identifikimin e burimeve të ndotjes dhe zbatimin e masave për mbrojtjen integrale të ekosistemit të liqenit. Është e domosdoshme vendosja e një monitorimi të vazhdueshëm të cilësisë së ujit që do t’i përfshijë parametrat kimiko – fizikë, mikrobiologjikë dhe biologjikë, duke përfshirë këtu edhe monitorimin e pranisë së pesticideve dhe metaleve të rënda. Rezultatet e analizave duhet të publikohen rregullisht për informim në kohë të publikut. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet ndikimit të aktiviteteve bujqësore në zonën e bregut të liqenit, përmes edukimit të fermerëve, promovimit të praktikave të mira bujqësore, reduktimit të përdorimit të pakontrolluar të pesticideve dhe plehrave dhe inkurajimit të prodhimit organik”, thuhet në raportin e IShP-së.




