Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka bërë të ditur se shumë shpejt sistemi “One Stop Shop” do të zgjerohet në të gjitha pikat kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë.
Përmes një postimi publik, Iseni theksoi se institucionet po vazhdojnë punën me përkushtim për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe për të rritur efikasitetin në kalimet kufitare.
“Së shpejti ‘One Stop Shop’ në të gjitha pikat kufitare me Republikën e Shqipërisë. Vazhdojmë me punë dhe përkushtim,” ka shkruar Iseni.
Zbatimi i sistemit “One Stop Shop” synon të shkurtojë kohën e pritjes në kufi, duke mundësuar kryerjen e kontrolleve kufitare në një pikë të vetme dhe duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve. (INA)



