
Dramë politike në ditën e fundit të javës punuese në Kuvend. Shërbimet në orën 16:20 njoftuan për mbajtjen e seancës së komisionit për arsim e cila duhej të niste në 16:30 në të cilën do të diskutoheshin tri propozim ligjet e arsimit të lartë. Seanca u anulua dhe deputetët u njoftuan se do të mbahet të hënën. Edhepse në faqen zyrtare të Kuvendit qëndroi njoftimi për mbledhjen e komisionit, pas disa minutash i njëjti u largua.
Thirrja e seancës në minutat e fundit shkaktoi reagimin e deputetëve të opozitës shqiptare duke thënë se mazhoranca tentoi të kalonte ligjet në komision, në mungesë të deputetëve të opozitës. Në rrjetet sociale ata sqaruan se një orë para se të thirret seanca shërbimet e Kuvendit kishin njoftuar se Propozim ligji për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe shkencën ishte tërhequr. Arbana Pasholli nga BDI pyet se a është kjo mënyra se si respektohen deputetët dhe procedurat parlamentare?
“Paradoksi është se vetëm pak më herët, në ora 15:16, ishte njoftuar se Propozim-ligji për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe shkencën ishte tërhequr. A është kjo mënyra se si respektohen deputetët dhe procedurat parlamentare? Apo Kuvendi është shndërruar në një institucion ku vendimet merren pa respekt për rregullat dhe pa respekt për punën e deputetëve? – Arbana Pasholli, BDI.
Ka reaguar edhe deputeti i ASH-së Halil Snopçe. Ai thotë se kjo që ndodhi sot në Kuvend është precedent i rrezikshëm, i denjë për regjimet autokritike dhe jo për një shtet që pretendon se respekton demokracinë dhe procedurat.
STATUS NGA FACEBOOK I HALIL SNOPÇES
“Pse ky nxitim i pazakontë? Çfarë fshihet pas këtij skenari? Pse ligje kaq të rëndësishme, që prekin drejtpërdrejtë arsimin e lartë dhe universitetet shqiptare në vend, tentohen të kalohen larg syve të opinionit dhe pa praninë e deputetëve?” – Halil Snopçe, Deputet i ASH-së
Situata e sotme në Kuvend vjen një ditë pasi opozita shqiptare qëndroi në Kuvend duke kërkuar që të kthehet në rend të ditës pika me propozim ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Opozita thotë se pushteti nuk e ka shumicën e nevojshme të badenterit.(Alsat.mk)



