
Tre persona janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë nën dyshimin se kanë tentuar ta tjetërsojnë dhe shesin në mënyrë të kundërligjshme një parcelë në Sllatinë të Fushë Kosovës, vlera e së cilës kap shumën prej 1 milion e 550 mijë euro, raporton Sinjali.
Sipas Policisë së Kosovës, hetimet e zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë kanë siguruar prova që dyshohet se implikojnë tre persona në këtë rast.
Të arrestuarit janë identifikuar me inicialet M.T. (m/serb), L.Sh. (m/serb) dhe M.R. (m/k). Sipas dyshimeve, ata kanë përdorur dokumente të falsifikuara të Serbisë dhe kanë prezantuar një person të rrejshëm si pronar të vërtetë, me qëllim që përmes noterit ta tjetërsojnë një parcelë prej rreth dy hektarësh në Sllatinë të Fushë Kosovës.



