KurioziteteLajme

Jetë përtej tokës? Zbulohet atmosfera e parë rreth një planeti shkëmbor të ngjashëm

Shkencëtarët kanë bërë një zbulim që mund të ndryshojë mënyrën se si kërkojmë për jetë jashtë Tokës. Për herë të parë është identifikuar një atmosferë rreth një planeti shkëmbor, të ngjashëm me Tokën, që ndodhet në të ashtuquajturën “zona e banueshme” të një ylli të largët.

Studiuesit thonë se ky është deri tani treguesi më i fortë se mund të ekzistojnë botë jashtë sistemit tonë diellor me kushte të ngjashme me ato të Tokës.

Planeti quhet LHS 1140 b dhe ndodhet rreth 48 vite dritë larg Tokës, duke orbituar një yll të kuq, shumë më të vogël dhe më të ftohtë se Dielli ynë.

Atmosfera e zbuluar përmban helium, një gaz që në vetvete nuk mund të mbështesë jetën. Megjithatë, shkencëtarët besojnë se mund të ketë edhe gazra të tjerë në shtresat më të ulëta të atmosferës, të cilët do të ishin më të rëndësishëm për mundësinë e ekzistencës së jetës.

“Ky është një zbulim shumë i rëndësishëm. Është hera e parë që dikush gjen një atmosferë rreth një planeti shkëmbor në zonën e banueshme të një ylli tjetër”, tha autori kryesor i studimit, Dr. Collin Cherubim nga Universiteti i Harvardit.

Çfarë është “zona e banueshme”?

Shkencëtarët e quajnë këtë rajon rreth një ylli “zona Goldilocks”, ose zona e artë e banueshmërisë. Ajo i referohet distancës ideale nga një yll ku një planet nuk është as shumë i nxehtë dhe as shumë i ftohtë, duke krijuar mundësinë që të ketë ujë të lëngshëm në sipërfaqe.

Uji konsiderohet një nga kushtet kryesore për jetën, por deri tani, edhe pse janë zbuluar mijëra ekzoplanete, asnjë planet shkëmbor në këtë zonë nuk kishte treguar praninë e një atmosfere.

Deri tani janë zbuluar më shumë se 6 mijë planetë jashtë sistemit diellor, por vetëm disa dhjetëra prej tyre janë të vegjël dhe shkëmborë si Toka.

A do të thotë kjo se ka jetë?

Jo ende. Shkencëtarët theksojnë se zbulimi nuk është provë e ekzistencës së jetës, por një hap i madh drejt përgjigjes së një prej pyetjeve më të mëdha të shkencës: A jemi vetëm në univers?

Dr. David Charbonneau nga Harvardi shpjegoi se rëndësia kryesore e studimit është fakti se për herë të parë është gjetur një atmosferë rreth një planeti shkëmbor jashtë sistemit tonë diellor, në një zonë ku teorikisht mund të ekzistojë ujë.

Planetët e tjerë në kërkim të jetës

LHS 1140 b nuk është i vetmi planet që po studiohet. Shkencëtarët kanë analizuar edhe planetin K2-18b, ku më herët u raportuan sinjale të mundshme të një gazi të lidhur me jetën detare në Tokë, por analizat e mëvonshme treguan se provat nuk ishin të mjaftueshme dhe se ky gaz mund të krijohet edhe pa praninë e organizmave të gjallë.

Edhe sistemi planetar TRAPPIST-1, me shtatë planete shkëmbore, mbetet një nga objektivat kryesore të kërkimit. Teleskopi hapësinor James Webb ka përjashtuar një atmosferë të ngjashme me Tokën për njërin prej tyre, ndërsa për planetët e tjerë të dhënat mbeten ende të paqarta.

Zbulimi i LHS 1140 b nuk ka gjetur ende jetë jashtë Tokës, por për herë të parë ka treguar një element kyç: një planet i ngjashëm me Tokën, në vendin e duhur, me një atmosferë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close