LajmeMaqedoni

Saliu: Shëndeti i qytetarëve është mbi çdo interes, rasti me ujin në Gostivar të zbardhet me transparencë

Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit për furnizimin me ujë të pijshëm në Gostivar, duke theksuar se shëndeti i qytetarëve duhet të jetë prioritet absolut dhe se institucionet duhet të japin përgjigje të qarta.

Saliu vlerëson se dyshimet për sigurinë e ujit të pijshëm kanë shkaktuar shqetësim të madh te qytetarët dhe kërkojnë reagim të përgjegjshëm nga institucionet kompetente.

“Shëndeti i qytetarëve duhet të jetë gjithmonë mbi çdo interes tjetër. Zhvillimet e fundit lidhur me furnizimin me ujë në Gostivar kanë ngritur shqetësim të madh dhe kërkojnë përgjigje të qarta nga institucionet përgjegjëse”, deklaroi ajo.

Deputetja thekson se në raste kur vihet në pikëpyetje siguria e ujit të pijshëm, qytetarët kanë të drejtë të informohen pa vonesa.

“Kur vihet në dyshim siguria e ujit të pijshëm, nuk mjafton të pritet përfundimi i hetimeve; qytetarët meritojnë transparencë, informim dhe përgjegjësi institucionale”, u shpreh Saliu.

Ajo kërkon që institucionet ta trajtojnë rastin me seriozitet maksimal dhe të ndërmarrin masa të menjëhershme nëse konstatohen shkelje.

“Si deputete, kërkoj që ky rast të trajtohet me seriozitet maksimal. Nëse hetimet konstatojnë lëshime apo neglizhencë, përgjegjësia duhet të jetë e menjëhershme dhe konkrete. Besimi i qytetarëve mbrohet me llogaridhënie!”, përfundoi deputetja e VLEN-it.

Related Articles

Back to top button
Close
Close