
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit, pritet të mbahet në fillim të muajit gusht.
Haxhiu ka thënë se javën e ardhshme do të bëhet publike edhe data e seancës dhe ora.
Ajo shtoi se u ka thënë kohë partive politike për bisedime, meqenëse pas konstituimit të Kuvendit, fillojnë të rrjedhin afatet edhe për zgjedhjen e presidentit.
“Duke qenë që pas konstituimit të Kuvendit fillojnë të rrjedhin afatet kohore për zgjedhjen e presidentit, pra janë 60 ditë pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kam vlerësuar që t’ju jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin, ose të mos vijmë në një situatë, që nuk besoj që dikush e do, që mos ta zgjedhim presidentin dhe të që të shkojmë edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo nuk është e mirë për shtetin, dhe nuk mendoj se do të përfitonte ndonjë parti politike.
“Tash, afati kushtetues është deri më 7 gusht dhe në fillim të gushtit do të ketë seancë konstituive. Javën e ardhshme ju premtoj që do ta dini ditën e saktë edhe orën e saktë. Dhe kjo është e rëndësishme edhe për deputetët që në seancën konstituive të jenë të gjithë, 120 deputetët, ashtu siç edhe thekson aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Ju faleminderit dhe shihemi në konferenca të tjera”, tha Haxhiu.



