
Viktor Orbani kishte marrë masa për rastin kur do të humbte pushtetin — të paktën kështu mendonte ai. Shumë poste kyçe në shtetin dhe administratën e Hungarisë qeveria e tij i kishte mbushur me njerëz besnikë për vite me radhë, ndërsa shkarkimin e tyre e kishte lidhur me një vendim parlamentar me shumicë prej dy të tretash. Në këtë mënyrë Orbani donte t’i përjetësonte edhe disa institucione. Llogaria pas kësaj: puna e çdo qeverie tjetër duhej sabotuar sa më shumë. Në prapaskenë Orbani do të kishte mundësi të vendoste — edhe kur nuk ishte kryeministër.
Ajo që autokrati i rrëzuar më 12 prill nuk e kishte parashikuar ishte disfata dërrmuese e partisë së tij Fidesz (Bashkimi i Demokratëve të Rinj) dhe shumica historikisht e lartë prej dy të tretash e partisë opozitare Tisza (Respekt dhe Liri). Nga kjo shumicë kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar, dhe grupi i tij parlamentar po përfitojnë me bollëk dhe po e çmontojnë sistemin e Orbanit me ritëm të vrullshëm. Magyari e quan këtë “Operacioni Purgator”.
Pjesa më e rëndësishme e tij u zbatua të hënën (13.07.2026) — vetëm dy muaj pas ardhjes në pushtet. Të hënën në mbrëmje parlamenti hungarez votoi për ndryshime të gjera kushtetuese, që Magyari dhe qeveria e tij i kishin propozuar në fund të qershorit.
Me to detyrohen nga njëra anë funksionarë të rëndësishëm të sistemit të Orbanit të largohen nga postet, mes tyre presidenti Tamas Sulyok dhe katër gjyqtarë kushtetues. Peter Magyar i kishte quajtur vazhdimisht “kukulla të Orbanit” Sulyokun dhe të tjerë si kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Peter Polt, dhe që në fushatë kishte paralajmëruar se do të kujdesej për shkarkimin e tyre.
Nga ana tjetër, ndryshimet kushtetuese i sprapësojnë cënimet më të rënda të shtetit të së drejtës, që Orbani i kishte urdhëruar. Kështu, për shembull, Gjykata Kushtetuese i rifiton kompetencat e saj fillestare dhe pavarësia e drejtësisë forcohet në tërësi. Kufizohet numri i ligjeve që mund të ndryshohen vetëm me shumicë prej dy të tretash. Përveç kësaj, themelohet një agjenci për rikthimin e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme. Dhe së fundi, deputetët do ta ushtrojnë mandatin për tri legjislatura e shumta.
Deri ku lejohet të shkohet?
Pyetja nëse regjimet populiste dhe autokratike mund të çmontohen dhe nëse demokracia mund të rivendoset diskutohet me forcë në BE së paku që nga ngjitja e Orbanit në vitin 2010 — edhe nga këndvështrimi se deri ku lejohet ose duhet të shkohet për të zhdukur padrejtësinë.
Qeveria e Peter Magyarit, kjo mund të thuhet pas dy muajsh, është çdo gjë tjetër veç jo e druajtur. Ajo po tregon me shpejtësi të madhe se si mund të veprohet — sepse, ndryshe nga qeveria e Donald Tuskut në Poloni, e ka shumicën e nevojshme. Njëkohësisht, në partinë Tisza, por edhe te një pjesë e madhe e hungarezëve, ekziston vullneti politik për një larje rrënjësore të hesapeve me regjimin e Orbanit.
Atmosfera i ngjan asaj në disa vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore në vitin e ndryshimit 1989 — në Hungari flitet shpesh për një “ndryshim sistemi”. E kuptueshme, sepse Orbani dhe një rreth i ngushtë pushteti rreth tij sunduan për 16 vjet me një vetëkënaqësi dhe arbitraritet që shumë hungarezë në fund i ndienë gjithnjë e më shumë si të padurueshme. Në këto rrethana edhe çmontimi rrënjësor i shtetit të Orbanit shfaqet në një dritë tjetër nga sa do të shfaqej në kushte të zakonshme.
Peter Magyar u dha të hënën një përgjigje mohuese të gjitha shqetësimeve ndaj ndryshimeve kushtetuese. Do të ishte “tradhti ndaj kombit hungarez po të mos e preknim Kushtetutën e tanishme”, sepse ajo është “dokumenti bazë i Cosa Nostra-s” – sistemit mafioz që kishin ngritur partia e Orbanit, Fidesz, dhe Partia e vogël Popullore Kristiandemokrate (KDNP) e lidhur me të.
Vërtet, gjatë një dekade e gjysmë të fundit Orbani e kishte përshtatur Kushtetutën sipas nevojave të veta — deri në detaje që, sipas shumë juristëve kushtetues, s’kanë pse të gjenden fare në një ligj themelor.
Orbani shpall fundin e demokracisë
Grupet parlamentare të partisë së Orbanit, Fidesz, dhe të KDNP-së e bojkotuan seancën e parlamentit të hënën dhe nuk morën pjesë në votim. Që prej disa ditësh Orbani dhe politikanë të tjerë të Fideszit kishin folur për një “fund të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës në Hungari”, që vjen me ndryshimet kushtetuese.



