LajmeMaqedoniTopLajm

Maqedonia humbi 4,2 milionë euro nga BE-ja! Partitë ja hedhin fajin njëra tjetrës

Skadoi afati për miratimin e Kodit Zgjedhor në Kuvend, i cili ishte pjesë e obligimeve të Agjendës Reformuese, ndërsa si pasojë Maqedonia humbi edhe 4,2 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian.

Partitë gjatë periudhës së kaluar nuk arritën të gjejnë konsensus për këtë çështje, ndërsa polemikat më të mëdha u zhvilluan rreth asaj nëse duhet të mundësohet votimi i diasporës.

Nga VMRO-DPMNE akuzojnë se LSDM-ja, Levica dhe BDI-ja janë fajtorët pse nuk u miratua Kodi Zgjedhor.

“Frika nga humbja në zgjedhje, e cila është më se evidente, bëri që këto tri parti politike të bashkohen dhe të bllokojnë një nga ligjet më të rëndësishme për partitë politike. Edhe pse, si kurrë më parë, kishte hapësirë për konsensus dhe mirëkuptim nga ana e Qeverisë, ato zgjodhën obstruksionet. Edhe pse, si kurrë më parë, kishin një parti në pushtet që u tha: merruni vesh për çfarë të doni dhe pikërisht ajo do të pranohet, ato e refuzuan këtë”, pohoi Valentin Manasievski – Zëdhënës I VMRO-DPMNE-së.

Kodi Zgjedhor kërkon konsensus të gjerë politik ndërmjet të gjitha subjekteve parlamentare në vend, thonë nga VLEN. Ata shtojnë se gjatë gjithë kohës kanë qenë të gatshëm për dialog me opozitën.

“Një nga kërkesat që kemi paraqitur ka të bëjë me përfshirjen e diasporës në votimin që do të mbahet në zgjedhjet e ardhshme. Mendoj se kjo është një nga kërkesat tona dhe do të vazhdojmë të këmbëngulim në të. Qëndrimit tonë iu bashkua edhe partneri ynë i koalicionit, që do të thotë se jemi shumë të interesuar t’ia mundësojmë diasporës të votojë në atdhe në zgjedhjet e ardhshme”, tha Driton Sulejmani nga VLEN.

Nga LSDM-ja thonë se fakti që Maqedonia humbi 4,2 milionë euro nuk është asgjë në krahasim me atë që vendi humb për shkak të bllokimit të rrugës evropiane nga ana e Qeverisë.

“Nuk humben 4 milionë euro për shkak të Kodit Zgjedhor. Humbin miliarda euro, humbet qëllimi strategjik, humbet e ardhmja për shkak të rrugës së bllokuar evropiane. Politika e Mickoskit e mban vendin në izolim dhe ua mohon qytetarëve miliarda euro fonde evropiane. VMRO-GOK e shtyu qëllimisht Kodin Zgjedhor me dispozita kontestuese për manipulim zgjedhor përmes votave të diasporës, për të krijuar përshtypjen se opozita po e bllokon rrugën evropiane”, u shpreh Keti Shterjova –LSDM.

Nga Levica thonë se nuk janë humbur 4 milionë euro, por VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja i siguruan vetes 10 milionë euro për propagandë politike.

“Me skadimin e afatit për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, pushteti edhe një herë po përpiqet ta bindë opinionin se Maqedonia humbi rreth 4 milionë euro fonde evropiane për shkak të Levicës. Por po heshtet plotësisht një pasojë shumë më e rëndësishme. Me mbetjen në fuqi të Kodit aktual Zgjedhor, mbetet edhe sistemi i reklamimit politik me pagesë, përmes të cilit partitë më të mëdha politike do të ndajnë rreth 10 milionë euro mjete publike”, thonë nga Levica.

Kodi Zgjedhor ishte obligimi i dhjetë që Maqedonia duhej ta përmbushte në kuadër të Agjendës Reformuese. Me mosmiratimin e tij, vendi humbi 4,2 milionë euro nga fondet e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.

Related Articles

Back to top button
Close
Close