
Prokuroria Themelore Publike Shkup njofton se gjashtë persona janë vënë nën akuzë për marrje të kredive të shpejta në emër të personave të tjerë, pasi kanë falsifikuar të dhëna nga Agjencia për Punësim dhe kanë keqpërdorur të dhënat personale të të siguruarve. Një i punësuar në Fondin e Sigurimit Shëndetësor ka siguruar për ta numra unikë të sigurimit shëndetësor (EZBO), të cilët i ka marrë në mënyrë të paautorizuar nga sistemi elektronik i Fondit.
Personat e akuzuar do të përgjigjen për falsifikim dokumentesh, keqpërdorim të të dhënave personale dhe krim kompjuterik, ndërsa ndaj gjithsej 33 personave është dorëzuar propozim për lëshimin e urdhër‑dënimit për mashtrim kompjuterik.
Si është kryer veprimi kriminal
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë futur të dhëna të rreme në sistemet informatikë të disa shoqërive financiare, duke shkaktuar rezultate të pasakta gjatë përpunimit elektronik të të dhënave të marra nga Agjencia për Punësim. Në këtë veprim i ka ndihmuar një i punësuar në Fondin e Sigurimit Shëndetësor, i cili u ka vënë në dispozicion numra EZBO të siguruar më herët në mënyrë të paautorizuar.
Të akuzuarit kanë përdorur dokumente të falsifikuara dhe kanë keqpërdorur të dhënat personale të qytetarëve të dëmtuar, duke tërhequr kredi të shpejta në emrin e tyre.
Përfitimi i kundërligjshëm
“Në periudhën nga shkurti 2023 deri në qershor 2024, katër prej të akuzuarve kanë përfituar kundërligjshëm 2,5 milionë denarë, ndërsa të tjerët, gjatë viteve 2022 dhe 2023, kanë përfituar edhe 659.500 denarë shtesë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Mbyllja e pjesës së hetimit
Prokurori publik ka marrë vendim për ndërprerjen e hetimit ndaj katër personave të përfshirë fillimisht në procedurë:
për dy prej tyre nuk janë siguruar prova se kanë marrë pjesë në skemën mashtruese,
ndërsa dy të tjerë kanë ndërruar jetë gjatë procedurës.



