BotaLajme

OBSH: Evropa po mbetet prapa në rregullimin e inteligjencës artificiale në shëndetësi, rrezikohen pacientët

Inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë në spitalet evropiane, por shumica e vendeve ende nuk kanë rregulla të qarta për përdorimin e saj.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëron se kjo boshllëk mund të rrezikojë sigurinë e pacientëve dhe të cenojë besimin në sistemet shëndetësore.

Drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Henri P. Kluge, tha se hendeku mes përdorimit të inteligjencës artificiale (AI) dhe rregullimit të saj është sfida më e madhe me të cilën po përballet aktualisht sektori i shëndetësisë.

“Hendeku mes zbatimit dhe qeverisjes është sfida përcaktuese e inteligjencës artificiale në shëndetësi. Sa më gjatë të vazhdojë ky hendek, aq më i madh do të jetë kostoja njerëzore”, deklaroi Kluge gjatë një konference për media në Lisbonë.

Ai paralajmëroi se algoritmet e njëanshme ose të pasakta mund të çojnë në diagnoza të gabuara, me pasoja reale për pacientët.

“Një algoritëm i paragjykuar mund të prodhojë një diagnozë të gabuar, për një pacient real, me pasoja reale”, tha ai.

Sipas të dhënave të OBSH-së, rreth dy të tretat e 53 vendeve të Rajonit Evropian tashmë përdorin inteligjencën artificiale për diagnostikim, ndërsa gjysma kanë chatbotë të fuqizuar nga AI për komunikim me pacientët.

Megjithatë, vetëm 8 për qind e vendeve kanë një strategji të veçantë për përdorimin e inteligjencës artificiale në shëndetësi. Po ashtu, gati 40 për qind e vendeve nuk kanë udhëzime etike për përdorimin e AI-së në institucionet shëndetësore.

Raporti evidenton edhe mungesën e përgatitjes së profesionistëve shëndetësorë. Vetëm një në pesë vende ofron edukim për inteligjencën artificiale për studentët e mjekësisë dhe vetëm një në katër organizon trajnime për stafin shëndetësor.

Sipas Kluge, kjo situatë është shqetësuese dhe mund të ndikojë negativisht në besimin e qytetarëve ndaj sistemeve shëndetësore.

OBSH ka bërë të ditur se synon që deri në vitin 2028 të publikojë një Udhërrëfyes për Inteligjencën Artificiale dhe Shëndetësinë, me qëllim krijimin e standardeve dhe udhëzimeve për përdorimin e sigurt dhe etik të këtyre teknologjive në kujdesin shëndetësor.

Related Articles

Back to top button
Close
Close