
Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se në mostrat e marra nga pacientët që dyshohet se u helmuan pas konsumimit të ushqimit në “Sach Pizza” është identifikuar bakteri Salmonella, ndërsa në mostrate marra më pas nga ambientet e restoranteve nuk është gjetur prania e këtij bakteri.
“Në mostrat e pacientëve është konfirmuar bakteria Salmonella Enteritidis. Mostrat e ushqimit dhe strishot e ambientit kanë rezultuar negative”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë insajderi.
Megjithatë, MSH thekson se mungesa e Salmonellës në mostrat e ushqimit të marra gjatë kontrollit nuk e përjashton mundësinë që burimi i infeksionit të ketë qenë ushqimi i kontaminuar më herët.
“Mungesa e Salmonellës në mostra në momentin e kontrollit nuk e përjashton mundësinë që burimi i infeksionit të ketë qenë ushqimi i kontaminuar më herët. Të dhënat epidemiologjike tregojnë lidhje të fortë me këtë operator”, thuhet në përgjigje.
Nga këto raste, 29 pacientë janë hospitalizuar, ndërsa 45 janë trajtuar në mënyrë ambulatore. Pacientët kanë shfaqur simptoma si barkqitje, të vjella, ethe, temperaturë dhe plogështi.
Nga ana tjetër, Sach Pizza ka kundërshtuar pretendimet se ushqimi i saj ka qenë i kontaminuar. Në një deklaratë për media, kompania ka bërë të ditur se në mostrat ushqimore të analizuara nga institucionet kompetente nuk është identifikuar Salmonella.
Ky rast është duke u hetuar nga Prokuroria dhe Policia.



