
Arsenal ka intensifikuar përpjekjet për të transferuar sulmuesin argjentinas Julian Alvarez. Sipas mediave britanike, klubi londinez synon ta mbyllë marrëveshjen përpara nisjes së fazës përgatitore, me ndeshjen e parë miqësore të planifikuar më 1 gusht ndaj Gironës.
Raportimet bëjnë të ditur se drejtuesit e Arsenalit e kanë vlerësuar prej kohësh profilin e 25-vjeçarit dhe tani po përpiqen të konkretizojnë transferimin. Andrea Berta, ish-drejtori sportiv i Atletico Madrid dhe aktualisht në të njëjtin rol te Arsenali, thuhet se po punon për realizimin e operacionit.
Sipas të njëjtave burime, Julián Álvarez do ta kishte si destinacion të preferuar Barcelonën, por nuk do ta refuzonte një transferim te Arsenali. Nga ana tjetër, Atletico Madrid nuk dëshiron ta shesë sulmuesin te rivali i saj në La Liga.
Negociatat mbeten të vështira për shkak të diferencës mes ofertës dhe kërkesës. Arsenali nuk synon të paguajë më shumë se 105 milionë euro, ndërsa Atletico Madrid kërkon të paktën 150 milionë euro për kartonin e argjentinasit.
Interesimi i Arsenalit vjen menjëherë pas paraqitjes së shkëlqyer të Alvarez me Argjentinën në Kupën e Botës, ku ai shënoi një gol vendimtar në kohën shtesë ndaj Zvicrës, duke ndihmuar kombëtaren e tij të sigurojë kualifikimin në gjysmëfinale.
Ndërkohë, interesi i Paris Saint-Germain duket se është zbehur. Kampionët e Francës kishin ndjekur situatën e sulmuesit, veçanërisht pas largimit të Gonçalo Ramos, por tashmë janë fokusuar në objektiva të tjerë në merkato.
Nëse transferimi i Julian Alvarez te Arsenali realizohet, ai mund të ndikojë edhe në lëvizje të tjera të rëndësishme në tregun e transferimeve, që aktualisht mbeten pezull.



