LajmeMaqedoniTopLajm

VLEN: Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho hapi “Verën e Ohrit”, simbol të dialogut kulturor dhe bashkimit të popujve

Në një komunikat për media VLEN ka vlerësuar se hapja e edicionit të 66-të të festivalit ndërkombëtar “Vera e Ohrit”me performancën e sopranos shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, përfaqëson një moment të rëndësishëm për promovimin e kulturës, dialogut dhe bashkëpunimit mes popujve.

VLEN thekson se kultura është një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit dhe mirëkuptimit ndërmjet shoqërive, ndërsa festivale si “Vera e Ohrit” dëshmojnë se arti ka fuqinë të bashkojë njerëzit përtej çdo dallimi.

Sipas VLEN-it, interpretimi i Ermonela Jahos, i shoqëruar nga Orkestra e Operës dhe Baletit, i dha një fillim dinjitoz një prej festivaleve më të rëndësishme kulturore në Maqedoninë e Veriut dhe rajon.

Koalicioni rikujton se “Vera e Ohrit” është një festival me traditë shumëvjeçare, i cili prej dekadash shërben si urë lidhëse mes kulturave, popujve dhe brezave. Gjatë 40 ditëve të festivalit janë planifikuar rreth 50 programe artistike nga fusha e muzikës klasike, xhazit, baletit dhe teatrit, me pjesëmarrjen e mbi 700 artistëve nga 24 vende të botës.

VLEN shpreh mbështetjen për iniciativa që promovojnë vlerat artistike dhe dialogun kulturor, duke theksuar se avancimi i kulturës dhe prezantimi i vendit në skenën ndërkombëtare mbeten ndër prioritetet e saj.

VLEN uron që edicioni i 66-të i “Verës së Ohrit” të sjellë emocione të veçanta artistike dhe të konfirmojë edhe një herë rolin e kulturës si urë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi mes popujve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close