LajmeSport

Interi mendon planin B nëse dështon Khalili, zikaltrit mendojnë transferimin e kampionit të Botës ose… Doue

Interi po kalon momente pasigurie në merkaton e verës, pasi transferimi i Anan Khalailit nga Union Saint-Gilloise është vënë përkohësisht në pritje për shkak të problemeve të shfaqura gjatë vizitave mjekësore.

Sipas mediave italiane, Komiteti Olimpik Kombëtar i Italisë (CONI) ka kërkuar ekzaminime shtesë për mbrojtësin e krahut, duke bërë që marrëveshja, e cila kap vlerën e 25 milionë eurove plus bonuse, të mos finalizohet për momentin.

Nëse analizat përfundimtare japin rezultat negativ, Interi rrezikon të humbasë edhe këtë objektiv të merkatos, pasi më herët nuk arriti të sigurojë shërbimet e Palestrës. Në këtë rast, drejtuesit zikaltër do të detyrohen të rikthehen në treg për të gjetur zëvendësuesin e Denzel Dumfries.

Guela Doué, alternativa kryesore

Një nga emrat që po monitorohet është Guela Doué, mbrojtësi i Strasbourgut dhe vëllai i Desire Doué të PSG-së.

22-vjeçari zhvilloi një sezon të mirë me klubin francez, duke regjistruar 34 ndeshje, dy gola dhe gjashtë asistime. Ai konsiderohet një profil me karakteristika të ngjashme me Dumfries, falë forcës fizike dhe shpejtësisë.

Megjithatë, problemi mbetet çmimi. Strasburgu kërkon rreth 30 milionë euro për kartonin e tij, një shumë që mund të komplikojë negociatat.

Dodo dhe Molina, opsione me përvojë

Interi po vlerëson edhe dy alternativa më me eksperiencë: Dodo të Fiorentinës dhe Nahuel Molina të Atletico Madridit.

Të dy futbollistët janë të njohur për nivelin e tyre në Serie A dhe ofrojnë garanci të menjëhershme. Një tjetër element që mund të favorizojë negociatat është fakti se kontratat e tyre skadojnë pas një viti.

Givairo Read, surpriza e merkatos

Një tjetër emër që po qarkullon është ai i talentit të Feyenoordit, Givairo Read.

Mbrojtësi 20-vjeçar konsiderohet një nga talentet më premtues në pozicionin e tij dhe ka tërhequr më parë interesin e Bayern Munich dhe Manchester City. Një dëmtim i rëndë në kofshë gjatë sezonit të kaluar uli interesimin e klubeve të mëdha, ndërsa sipas raportimeve Nottingham Forest ka ofruar rreth 20 milionë euro për të.

Për momentin, drejtuesit e Interit nuk do të ndërmarrin asnjë lëvizje derisa të marrin përgjigjen përfundimtare mbi gjendjen fizike të Khalailit, me shpresën që transferimi i tij të mos dështojë në momentet e fundit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close