LajmeSport

Rikthimi i McGregorit përfundon në makth, dëmtohet brenda pak sekondash dhe humbet ndaj Holloway

Rikthimi i shumëpritur i Conor McGregor në UFC u kthye në një zhgënjim të madh, pasi irlandezi pësoi një dëmtim të rëndë në gju vetëm pak sekonda pas nisjes së përballjes me Max Holloway në eventin UFC 329 në Las Vegas.

Ish-kampioni në dy kategori u rikthye në kafaz pas pesë vitesh mungesë, por ndeshja e tij përfundoi në mënyrën më të pafat të mundshme. McGregor duket se pësoi një dëmtim serioz në gju që në momentet e para të duelit, duke i dhënë fund menjëherë sfidës.

Holloway u shpall fitues pas vetëm 69 sekondash, ndërsa rikthimi i irlandezit mori fund pa mundur të tregonte potencialin e tij.

Ironikisht, historia u përsërit për McGregorin. Plot 13 vite më parë, në përballjen e parë mes tyre në UFC, ai kishte pësuar një dëmtim të ngjashëm në gju, ndërsa edhe këtë herë fati nuk ishte në anën e tij.

Pas ndeshjes, Max Holloway kërkoi që tifozët të duartrokisnin rivalin e tij.

“Duartrokisni për Conor McGregorin. Është një luftëtar i jashtëzakonshëm. Kur ishim aty brenda po përpiqesha që ndeshja të ndërpritej, por ai vazhdonte të kërkonte të luftonte. Tani besoj se do të kemi edhe përballjen e tretë mes nesh,” tha Holloway.

Më pas ai bëri edhe një koment me humor për mënyrën si përfundoi sfida:

“Çfarë të them… mesa duket ia bëra gjunjët të dridheshin.”

Dëmtimi i McGregorit ngre pikëpyetje të mëdha mbi të ardhmen e tij në UFC, ndërsa mbetet të shihet shkalla e dëmtimit dhe sa kohë do t’i duhet për t’u rikuperuar.

Related Articles

Back to top button
Close
Close