
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – Dega Tetovë njoftoi se mbrëmë u ka dërguar një shkresë Misionit të OSBE-së në Shkup dhe ambasadave të shteteve mike të akredituara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke i informuar për veprimet e Komunës së Tetovës që kanë ndikuar në organizimin e protestës qytetare të 11 korrikut.
Në njoftim, BDI thekson se protesta ishte paralajmëruar me kohë dhe në përputhje me procedurat ligjore pranë organeve kompetente, ndërsa pretendon se vetëm një ditë para mbajtjes së saj, Komuna e Tetovës organizoi një aktivitet tjetër në të njëjtin vend dhe në të njëjtin interval kohor.
Sipas BDI-së, ky veprim krijon përshtypjen e një përpjekjeje për të penguar protestën qytetare, për të shkaktuar konfuzion dhe për të kufizuar ushtrimin e së drejtës për tubim paqësor.
BDI vlerëson se mbivendosja e dy aktiviteteve në të njëjtën hapësirë dhe në të njëjtën kohë krijon rrezik për tensione dhe cenon standardet demokratike, duke kërkuar që këto zhvillime të monitorohen nga faktori ndërkombëtar.
Në shkresë, BDI rithekson se protesta e organizuar prej saj ishte dhe mbetet paqësore, qytetare dhe demokratike, duke shtuar se nuk do të bjerë pre e provokimeve dhe se mbetet e përkushtuar për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Në fund, BDI u bën thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe përfaqësive diplomatike të ndjekin me vëmendje këto zhvillime, duke vlerësuar se respektimi i të drejtës për protestë paqësore është një nga shtyllat themelore të demokracisë.



