LajmeMaqedoni

Saliu: Gratë në politikë përballen me standarde të dyfishta dhe sulme të vazhdueshme

Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka reaguar për sfidat me të cilat përballen gratë në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se ato shpesh janë objekt i sulmeve dhe standardeve të dyfishta.

Saliu vlerëson se politika në vend është një terren i vështirë, veçanërisht për gratë, të cilat, sipas saj, sulmohen pa mëshirë, madje edhe nga persona që pretendojnë se mbrojnë të drejtat e grave.

“Skena politike në RMV është e vështirë, e sidomos për gratë, sepse sulmohesh pa mëshirë dhe shpesh përballesh me standarde të dyfishta. Ndodh edhe nga ata që pretendojnë se mbrojnë kauza të mëdha për gratë, por në fund rezulton se luftojnë vetëm për interesa personale”, ka deklaruar ajo.

Deputetja thekson se gratë sulmohen jo vetëm nga burrat, por edhe nga vetë gratë dhe nga individë që, sipas saj, veprojnë për interesa të caktuara. Ajo pranon se edhe burrat përballen me kritika, por shton se në shoqërinë tonë ata gjykohen më pak dhe arsyetohen më lehtë për të njëjtat veprime, ndërsa gratë nuk gëzojnë të njëjtin trajtim.

Saliu shpreh shqetësimin edhe për mesazhin që po u përcillet gjeneratave të reja.

“Ajo që më shqetëson mua personalisht është çfarë pasqyre po u lëmë gjeneratave të reja të vajzave. A po ua trasojmë rrugën, apo, pa e kuptuar, po i frikësojmë?”, është shprehur ajo.

Sipas deputetes, mbetet ende shumë punë për t’u bërë që çdo vajzë dhe grua ta ketë më të lehtë rrugën drejt realizimit të ëndrrave të saj, përfshirë edhe angazhimin në politikë.

Në fund, Saliu thekson se gratë nuk kërkojnë privilegje, por trajtim të barabartë.

“Nuk kërkojmë trajtim të veçantë sepse jemi gra. Kërkojmë që gratë të mos trajtohen ndryshe vetëm sepse janë gra. Vetëm atëherë mund të themi se kemi bërë një hap të vërtetë drejt një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë”, ka përfunduar deputetja e VLEN-it.

Related Articles

Back to top button
Close
Close