BotaLajme

Trump mbetet pa një strategji të qartë për Iranin

Më pak se një muaj pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, administrata e presidentit Donald Trump duket se është rikthyer te strategjia e presionit maksimal, ndërsa analistët shtrojnë pyetjen nëse Washingtoni ka një plan të ri për të dalë nga kriza.

Sipas një analize të New York Times, marrëveshja e arritur më 17 qershor synonte t’i jepte fund përshkallëzimit përmes një kombinimi lehtësimesh ekonomike dhe angazhimesh iraniane për sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Në atë kohë, Trump argumentonte se lejimi i Iranit për të eksportuar sërish naftë dhe për të rifituar qasje në të ardhurat valutore do ta nxiste Teheranin të ruante stabilitetin.

Megjithatë, pas sulmeve ndaj disa anijeve tregtare, presidenti amerikan anuloi përjashtimin që lejonte eksportet iraniane të naftës, ndërsa Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme ajrore ndaj më shumë se 170 objektivave ushtarakë iranianë.

Për momentin nuk ka një raund të ri negociatash të planifikuar dhe administrata amerikane nuk ka bërë publik ndonjë plan alternativ.

Zëvendës presidenti JD Vance e përmblodhi qasjen aktuale me një mesazh të drejtpërdrejtë. “Nëse qëllojnë ndaj anijeve, ne do t’i godasim fort”, deklaroi ai.

Sipas analizës, administrata duket se ka braktisur përkohësisht stimujt ekonomikë dhe po mbështetet sërish te kombinimi i sanksioneve dhe forcës ushtarake. Por pikërisht këtu lind dilema kryesore.

New York Times ngre pyetjen se përse Washingtoni beson se e njëjta strategji, e cila nuk solli rezultat në të kaluarën, do të prodhojë një rezultat tjetër këtë herë.

Diplomati amerikan Richard Haass e përshkruan situatën si një “ngërç strategjik”, duke argumentuar se çdo përshkallëzim ushtarak rrit rrezikun e sulmeve iraniane ndaj infrastrukturës energjetike në Gjirin Persik.

Në të njëjtën kohë, sipas analizës, administrata Trump po përballet edhe me një realitet të ndërlikuar brenda vetë Iranit, ku përplasjet politike mes fraksioneve të ndryshme e bëjnë edhe më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë.

Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje mbetet programi bërthamor iranian. Memorandumi i nënshkruar në qershor nuk zgjidh çështjet kryesore, përfshirë kontrollin mbi rezervat e materialit bërthamor dhe mënyrën e garantimit të lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas NYT-së, këto mospërputhje në interpretimin e marrëveshjes kanë qenë ndër arsyet kryesore që çuan në shembjen e armëpushimit.

Analiza arrin në përfundimin se administrata Trump është rikthyer praktikisht në pikën ku ndodhej përpara nisjes së ofensivës ushtarake kundër Iranit: bombardimet nuk sollën kapitullimin e Teheranit, ndërsa marrëveshja e përkohshme nuk arriti të krijojë bazën për një zgjidhje politike të qëndrueshme.

Related Articles

Back to top button
Close
Close