
Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, anëtari i PDK-së, Arton Muhaxheri, ka komentuar zhvillimet politike dhe procesin e formimit të institucioneve.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje do t’i shfrytëzojë të gjitha afatet ligjore para konstituimit të institucioneve, pasi synimi i saj është që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.
“Partia në pushtet ose partia fituese do t’i konsumoj të gjitha afatet, nuk besoj që do ta thërret seancën, ajo do t’i shfrytëzoj maksimalisht afatet kohore më shumë do të kemi zgjedhje se zgjidhje. Që nga data e parë kur i ka fituar zgjedhjet ka qenë mesazh i qartë i VV-së që duan sërish zgjedhje… vonesat e mjaftueshme po na japin sinjale që do të jetë i njëjti skenar dhe mendoj që Kurtit i konvenojnë zgjedhjet”, ka deklaruar Muhaxheri në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.
Muhaxheri tha se, sipas tij, një pjesë e strukturave të LDK-së favorizojnë një marrëveshje me LVV-në, por lidershipi i partisë po ndjek një qasje tjetër.
Në fund, ai u shpreh kritik edhe ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke pretenduar se për sa kohë ai udhëheq partinë, LDK-ja do të jetë e gatshme të bëjë lëshime në raport me Albin Kurtin.
“Synimi i VV-së është me marrë sa më shumë elektorat të LDK-së, sa më shumë LDK-ja të afrohet afër VV-së do t’i kushtoj më shumë kudo mbas zgjedhjes, sepse strukturat dhe elektorati i LDK-së vazhdimisht po e don një marrëveshje me LVV-në por si duket lidershipi është duke vepruar të kundërtën e asaj që po merr mesazhe nga strukturat dhe sa më shumë që afrohet me VV-në aq më keq do t’i ketë punët. LDK është në gjendje me pranua gjithcka, derisa Lumir Abdixhiku është në krye të LDK-së, unë pres që LDK do të jetë e nënshtruar karshi Kurtit”, përfundoi ai.



