
Një ngjarje tragjike u regjistrua mbrëmjen e kaluar në Ohër, pasi një 44-vjeçar humbi jetën në rrethana që nisën me një ndjekje policore.
Sipas informacioneve, më 08.07.2026 rreth orës 22:30, në bulevardin “Turistiçka” në Ohër, policia tentoi të ndalonte një automjet pasagjerësh “Range Rover” me targa kombëtare çeke, por drejtuesi nuk iu bind sinjalit të patrullës dhe u largua.
Pas ndërhyrjeve të mëtejshme, efektivët arritën ta ndalonin automjetin dhe privuan nga liria I.M. (32) nga Ohri, i cili ishte në timon.
Në të njëjtin moment, punonjësit e policisë konstatuan se në makinë ndodhej edhe S.P. (44) nga Ohri, i cili menjëherë gëlltiti një pako me narkotikë. Pas kësaj, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua.
Policia njoftoi Shërbimin e Mjekësisë së Shpejtë, me automjetin e të cilit S.P. u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm në Ohër, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai ndërroi jetë atje.
Nga SPB Ohër bëhet e ditur se, me urdhër të prokurorit publik, gjatë ditës së sotme do të kryhet autopsia në Spitalin e Përgjithshëm në Manastir. Po ashtu, sipas udhëzimeve të prokurorit publik, po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të incidentit.



