LajmeSport

E bujshme nga Brazili, Neymar mendon seriozisht tërheqjen nga futbolli: Është i zhgënjyer, nuk po vlerësohet kontributi i tij

Ylli brazilian Neymar po mendon seriozisht t’i japë fund karrierës së tij si futbollist, pas eliminimit të Brazilit nga Kupa e Botës.

34-vjeçari pati një rol të kufizuar në turneun e zhvilluar në SHBA, Kanada dhe Meksikë, duke luajtur më pak se 45 minuta në total. Ai ishte përfshirë në skuadrën e trajnerit Carlo Ancelotti, një vendim që u shoqërua me shumë polemika.

Sipas burimeve pranë lojtarit, Neymar ndihet i zhgënjyer për mungesën e vlerësimit ndaj kontributit të tij për Brazilin dhe është lodhur nga presioni i vazhdueshëm që shoqëron futbollin.

Sulmuesi është golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit me 80 gola, duke kaluar legjendën Pele në vitin 2023. Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve të mira individuale në Kupat e Botës, ai nuk arriti kurrë ta udhëhiqte “Seleçaon” drejt trofeut.

Në Botërorin e vitit 2014 ai u detyrua të largohej për shkak të një dëmtimi, ndërsa Brazili pësoi humbjen historike 7-1 ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale. Në vitin 2018 u eliminua nga Belgjika, ndërsa në Katar 2022 goli i tij spektakolar ndaj Kroacisë nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin me penallti.

Edhe në ndeshjen ndaj Norvegjisë, Neymar realizoi një gol nga pika e bardhë, por vetëm për të zbutur humbjen. Pas vërshëllimës së fundit ai u pa duke qarë, ndërsa më vonë deklaroi: “U përpoqa. U përpoqa. Gjithçka nisi këtu, në MetLife Stadium, dhe përfundoi po këtu. Tani gjithçka ka marrë fund.”

Related Articles

Back to top button
Close
Close