
Njohësi i zhvillimeve politike, Kadri Kryeziu sonte në “Edicionin Special” në Klan Kosova ka folur për afatet kushtetuese për konstituimin e institucioneve të reja pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Ai tha se nga momenti i certifikimit të rezultateve, brenda 30 ditëve duhet të konstituohet kuvendi, ndërsa iniciativën për thirrjen e seancës konstituive e ka presidentja e vendit, respektivisht ushtruesja e detyrës.
Sipas Kryeziut, nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet brenda këtyre 30 ditëve, atëherë, sipas tij, vendi shkon në zgjedhje.
“Prej momentit të certifikimit të rezultateve përfundimtare, brenda 30 ditëve duhet të konstituohet parlamenti dhe iniciativën për konstituimin e parlamentit e ka presidentja e shtetit, respektivisht ushtruesja e detyrës tash. Brenda 30 ditësh, do të thotë, është e sanksionuar edhe në Kushtetutë, po ashtu edhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që duhet brenda 30 ditësh gjithsesi të konstituohet parlamenti. Përndryshe, shkojmë në zgjedhje”, tha ai.



