
Barcelona ka bërë një hap të rëndësishëm në merkaton e verës, duke paraqitur një ofertë zyrtare për sulmuesin anësor të Borussia Dortmundit, Karim Adeyemi.
Sipas gazetarit Gerard Romero, negociatat mes dy klubeve po avancojnë me ritme të shpejta dhe oferta e klubit katalanas tashmë ndodhet në tavolinën e drejtuesve të Dortmundit. Edhe pse detajet financiare nuk janë bërë ende publike, bisedimet thuhet se kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Një faktor i rëndësishëm në favor të Barcelonës është dëshira e vetë lojtarit. Adeyemi raportohet se e ka vendosur Camp Nou si destinacionin e tij të preferuar, duke refuzuar të konsiderojë opsione të tjera.
Situata kontraktuale e 24-vjeçarit gjithashtu favorizon katalanasit. Sulmuesi ka vetëm një vit të mbetur në kontratën me Borussia Dortmundin, çka mund ta shtyjë klubin gjerman ta shesë këtë verë për të shmangur largimin e tij si lojtar i lirë në vitin 2027.
Nëse marrëveshja mbyllet në ditët në vijim, Adeyemi pritet t’i bashkohet menjëherë përgatitjeve parasezonale të Barcelonës, madje që nga e hëna e ardhshme, për të nisur punën nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.
Sipas raportimeve, Hansi Flick ka qenë një admirues i kahershëm i Adeyemit dhe ka dhënë miratimin personal për transferimin e tij. Trajneri gjerman beson se shpejtësia, lëvizjet inteligjente dhe aftësia për të ushtruar presion të lartë e bëjnë Adeyemin një profil ideal për sistemin e tij të lojës.
Nëse transferimi finalizohet, Adeyemi do të bëhet përforcimi i dytë i Barcelonës gjatë kësaj vere, pas afrimit të Anthony Gordon. Ndërkohë, klubi vazhdon punën edhe për transferimin përfundimtar të Joao Cancelos, si dhe po shqyrton mundësinë e afrimit të Julian Alvarez, një operacion që konsiderohet shumë më i vështirë.



