LajmeMaqedoniTopLajm

Bislimi: Tre barna të rëndësishme mbulohen nga Fondi, zgjerohet Lista pozitive

Zëvendësdrejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sedat Bislimi nga VLEN, njoftoi se nga 1 korriku janë ndërmarrë masa të reja për përmirësimin e qasjes së pacientëve në terapinë antikoagulante, duke theksuar se tre barna të rëndësishme tashmë do të mbulohen nga Fondi dhe do të jenë të disponueshme drejtpërdrejt në barnatore.

Bislimi tha se Enoxaparin, Nadroparin dhe Rivaroxaban do të sigurohen përmes Fondit, duke eliminuar procedurat e deritanishme të rimbursimit dhe duke ulur barrën financiare për qytetarët.

“Tre barna të rëndësishme – Enoxaparin, Nadroparin dhe Rivaroxaban – tashmë janë të disponueshme në barnatoret e vendit dhe do të mbulohen nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Kjo nënkupton më pak procedura administrative, më pak pritje dhe më pak shpenzime për qytetarët”, deklaroi Bislimi.

Ai sqaroi se Enoxaparin dhe Nadroparin, të cilat deri më tani pacientët i blinin me mjetet e tyre dhe më pas prisnin rimbursimin, tani do të merren drejtpërdrejt në barnatore pa pagesë paraprake.

“Pacientët nuk do të kenë më nevojë t’i paguajnë barnat nga xhepi i tyre dhe më pas të presin kthimin e mjeteve. Për shumë familje kjo është një mbështetje reale që reflektohet drejtpërdrejt në buxhetin familjar”, tha ai.

Bislimi theksoi se për herë të parë edhe Rivaroxaban është përfshirë në Listën pozitive të barnave.

“Vetëm për paketimin më të përdorur të Rivaroxaban-it, kursimi për pacientët arrin mbi 1.700 denarë në muaj. Ndërsa nga 1 janari 2027, ky bar do të jetë i disponueshëm vetëm me participimin ligjor, pa pagesë shtesë”, u shpreh ai.

Sipas tij, për të siguruar që asnjë pacient të mos mbetet pa terapi gjatë periudhës së tranzicionit, Fondi ka vendosur që barnat Enoxaparin (Kleksan) të blera sipas procedurës së vjetër të rimbursohen deri më 15 korrik 2026.

Ai bëri të ditur gjithashtu se, pas më shumë se një dekade, është zgjeruar Lista pozitive me mbi gjashtë barna të reja, ndërsa është zgjeruar edhe Lista B për spitalet publike.

“Këto janë masa konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve. Çdo vendim që ua lehtëson jetën qytetarëve është dëshmi se angazhimi ynë në institucione sjell rezultate konkrete”, përfundoi Bislimi.

Related Articles

Back to top button
Close
Close