
Deklaratat e komisioneres së BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e vërtetojnë edhe një herë atë që qytetarët e Maqedonisë së Veriut e dinë prej kohësh se rruga drejt anëtarësimit është e hapur, por qeveria aktuale nuk po e shfrytëzon atë.
Kos edhe njëherë ishte e qartë se miratimi i ndryshimeve kushtetuese mbetet kushti i domosdoshëm për nisjen formale të negociatave, dhe pa konsensus ndërpartiak për Kodin Zgjedhor, momentumi aktual rrezikon të shkojë dëm.
Fakti që BE parashikon pranimin e një anëtari të ri nga Ballkani Perëndimor deri në 2028 e bën edhe më të rëndë përgjegjësinë e klasës politike vendase. Ndërsa Mali i Zi po përgatitet të përfitojë trefish më shumë mjete financiare nga BE-ja falë përparimit të tij, Maqedonia e Veriut rrezikon të mbetet pas, jo për shkak të kushteve të jashtme, por për shkak të paaftësisë për vendimmarrje të brendshme dhe mungesës së vullnetit politik.
Premtimet e VLEN-it për prioritetin evropian dhe kërcënimet për rishqyrtim të pjesëmarrjes në qeveri, në mungesë të veprimit konkret, kanë mbetur thjeshtë retorikë.
Çdo vit vonesë si pasojë e bllokadës do të thotë humbje e shumë mundësive, do të thotë më pak investime, një vit me standard më të ulët jetese, një vit me më shumë emigrim të të rinjve që zgjedhin Evropën jo nëpërmjet institucioneve të vendit të tyre, por këtë e bëjnë duke braktisur vendin.
Është absurde dhe e papranueshme që një vend i cili është ndër të parët në rajon që ka fituar statusin kandidat me nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, e ndryshoi emrin e shtetit të mos jetë gati të hedh hapin e fundit, të miratojë ndryshimet kushtetuese për hapjen e negociatave
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë liderë që luftojnë për integrimin evropian me të njëjtën energji që luftojnë për pushtet. Ngecja aktuale nuk është fatkeqësi është zgjedhje.Dhe për këtë zgjedhje, dikush duhet të mbajë përgjegjësi.



